Më në fund Ardit Çuni vjen me një projekt solo në klasifikimin e “The Top List”. Pas bashkëpunimit të tij mjaft të suksesshëm me Çiljetën në “Oj dashni”, tani Arditi vjen në një këngë të tijën solo.
Projekti i tij më i ri titullohet “Si ti” dhe është një baladë shumë romantike, por që ende mbetet pak e trishtë. Arditi ka vendosur që këtë projekt ta realizojë në Londër, nga ku duket qartë dhe melankolia që përcillet në “Si ti”.
Edhe pse kënga është publikuar në ditën e të dashuruarve në “Shën Valentin”, nuk është ajo balada tipike e dashurisë për ata që janë duke gëzuar lidhjen e tyre me dikë në krah. Përkundrazi, nëse jeni lënduar dhe ndoshta nuk dini fjalët e duhura për t’u shprehur, këtu hyn fare mirë kjo këngë e re e Arditit.
Duket se artisti e ka përshtatur më së miri stilin dhe tonet e kësaj kënge me natyrën e Londrës, të ftohtë dhe të zymtë. Epo, një tjetër gjetje që goditi në shenjë. Arditi diti se si të zgjedhë. “Si ti” e ka pozicionuar atë në vend të 7-të të klasifikimit të “The Top List” për këtë javë.