Një bashkëpunim që po bën ‘namin’ tek publiku duke korrur një sukses të jashtëzakonshëm dhe duke u kthyer shumë shpejt në hit. Po flasim për projektin e Anxhelo Koçit dhe Egli Takos.
“Nëse t’kujtohem” është kënga e re e dyshes që vjen këtë javë në klasifikimin e “The Top List”. Ky projekt u prit mjaft mirë nga publiku e fansat e dyshes që në momentet e para duke marrë komente shumë pozitive.
Bashkëpunimi mes dy artistëve duket i natyrshëm dhe i sinqertë. Siç ka rrëfyer Anxhelo, pas eksperiencës së tij në “Big Brother”, Egli e kontaktoi për të punuar së bashku dhe rezultati është një këngë që reflekton një kimi të fortë mes tyre. Ky element personal e bën projektin edhe më autentik. Nuk është vetëm muzika që tingëllon bukur, por edhe energjia që dy artistët sjellin bashkë.
Teksti i këngës është i thjeshtë, por shumë emocional. Ai flet për kujtimet, për mallin që ndjejmë për dikë që nuk është më pranë nesh dhe për atë ndjesi të veçantë kur të duket se dikush tjetër nuk e di se sa shumë të mungon.
Një baladë e ndjerë për kujtimet dhe ndjenjat që nuk shuhen me kohën. “Nëse t’kujtohem” është një këngë për dashuritë e humbura dhe për momentet që mbeten të skalitura në shpirt.