Anxhela Peristeri ka publikuar projektin e saj më të ri “Mjegull në Tiranë”, që hyn këtë javë në klasifikimin e “The Top List”. Një këngë mjaft e veçantë dhe e punuar deri në detajet më të vogla.
Kënga mban firmën e Pirro Çakos në tekst dhe muzikë, ndërsa orkestrimi është realizuar nga Darko Dimitrov. Zëri i Anxhelës dhe interpretimi shumë emocional e plotëson këtë projekt duke e çuar komplet në në tjetër nivel.
“Mjegull në Tiranë” është ndoshta kënga më artistike dhe emocionuese e Anxhelës, që bën bashkë të gjithë komponentët e duhur. Zëri i saj, i njohur për forcën dhe pasionin që mbart, në këtë rast vjen më i qetë, më i thellë, si një rrëfim që nuk ka nevojë të bërtasë për t’u dëgjuar.
Që në notat e para, “Mjegull në Tiranë” të mbështjell me një ndjesi nostalgjie. Mjegulla, në këtë rast, nuk është vetëm një element natyror. Është metafora e ndjenjave që nuk kanë formë të qartë, e kujtimeve që shfaqen dhe zhduken si hije në dritat e qytetit.
Tirana, një qytet që rrallë ndalet, në këtë këngë merr frymë më ngadalë. Çdo rrugë, çdo dritë, çdo kthesë duket si një kujtim i humbur. Dhe në mes të kësaj mjegulle, zëri i Anxhelës tingëllon si një rrëfim i qetë, i sinqertë dhe drithërues në thjeshtësinë e tij. Një këngë që është e pamundur të mos e përjetosh edhe ti!