E ftuar në studion e “Live From Tirana” në Top Albania Radio ka qenë këngëtarja e njohur Anxhela Peristeri. Ajo së fundmi ka sjellë një bashkëpunim me G-Bani, rikrijimin e hitit të tij të vitit 2006 me Crazy Girl, që mban titullin “Të dua”. Si lindi e gjithë ideja për risjelljen e këtij projekti? Ja çfarë na thotë Anxhela…

Më ka pëlqyer shumë në adoleshencën time. Ndër vite sa herë e dëgjoja më pëlqente shumë. Po rrija një ditë në TikTok dhe po e dëgjoja. Mendova sa bukur do ishte ta sillnim sërish me G-Banin.

Nga ana tjetër, në lidhje telefonike u bashkua dhe G-Bani, i cili tregoi ndjesitë e tij për risjelljen e këtij hiti…

Për mua ishte bekim, duke qenë se Anxhelën e admiroj që kur e kam dëgjuar për herë të parë. Nuk do ta kisha bërë me asnjë tjetër. Jemi kontaktuar nga miq të përbashkët për këtë ide. Lindi gjithçka natyrshëm, ishte shumë e thjeshtë. Për mua ishte shumë pozitive, e doja shumë.

A ke fituar shumë gjatë viteve me këtë këngë?

Nuk i gjykoj dot këngët e mia me sa lek kam marrë. Ka hapur dyer në karrierën time, që tani po bëj dhe një remake me një nga këngëtaret më të mira, siç është Anxhela. Për mua ka sjellë gjëra shumë të mira.

Cili ka qenë ndryshimi i Crazy Girl me Anxhela Peristerin dhe si ishte të punoje me të?

Unë Crazy Girl e dua dhe e respektoj shumë. Kur është bërë kënga ajo ka qenë repere, kurse Anxhela vokaliste. Ka sjellë atë që doja që kënga të kishte në vitin 2023. Ishte dhuratë nga Zoti që Anxhela donte të bënte këngën. Kam ngelur i mahnitur, më ka pëlqyer çdo gjë. Këtë herë është dhe me videoklip, dhe Anxhela në videoklip është diçka e mahnitshme. Unë Anxhelën e admiroj aq shumë sa nuk kam dashur të mërzitet. Unë jam bindur me ato që kërkonte ajo.

Keni pasur ndonjë vështirësi gjatë xhirimit të këngës? Ja çfarë tregon Anxhela…

Nuk kishim momente të vështira, na shkoi shumë mirë. Kemi qenë të dy në studio. Kemi bërë dhe një TikTok pastaj, që na e bëri Young Zerka. Kemi pasur një proces shumë të lehtë. G-Bani është shumë detajist. E kemi gjetur gjuhën së bashku.

Si do jetë ky sezon veror për Anxhelën, në krahasim me vitin e kaluar?

Nuk bëj krahasime. Kënga “Habibi” që solla vjet në verë ka dalë në korrik, ka qenë e paplanifikuar. Këtë e kam nxjerrë që në maj, e kam hapur që në fillim sezonin. Jam nga ato që nuk i duroj xhirimet e videoklipeve. Por është diçka që duhet ta bëj, por e bëj me vështirësi. Por procesi i regjistrimit në studio më pëlqen shumë.

Çfarë e bën një këngë hit?

Këngën e bën hit veçantia. Tregu është tejmbushur, këngëtarët janë bërë si fabrikë. Duhet të gjesh diçka të veçantë, një këngë të veçantë. Unë kam filluar të mos nxjerr shumë këngë. Dua të nxjerr këngë që të ngelin gjatë, jo thjesht për numër.

Në fund të ditës, a mendon se ia vlen i gjithë mundi dhe lodhja?

Për sa kohë bëj atë që dua, ia vlen gjithmonë. Kam nxjerrë këngë që dua të nxjerr, jo që duhet të nxjerr.

A ke gabuar ndonjëherë në karrierë?

Jo.

Nga ana tjetër, ti ishe e pranishme edhe në afterparty që u bë për “Big Brother VIP” ku performove këngët e tua. Si tu dukën banorët e “BBV” dhe kush po e shijonte më shumë kur po këndoje?

Efi, sepse e kisha përpara meje. Banorët ishin të gjithë aty përpara. I falënderoj sepse kanë qenë shumë mbështetës, i këndonin dhe i kërcenin këngët e mia. Nuk kam shumë njohuri për “Big Brother”. Kam filluar ta ndjek këto katër vitet e fundit. Showbiz-i zakonisht kështu është, puthu e shahu prapa krahëve. Ata që kanë qenë të vërtet me njëri-tjetrin do të vazhdojnë të jenë, ata që nuk kanë qenë nuk do të jenë.

Ti këndove gjithashtu dhe me Luizin dhe videoja bëri xhiron e rrjetit. A mendon të bësh një duet me të?

Kur kam qenë e ftuar në “BBV”, Luizi, Kristi, Maestro dhe Olta kanë qenë në burg dhe nuk ishin të pranishëm. Prandaj e këndova aty dhe Luizi u afrua ta këndonim bashkë. Dueti më pëlqeu shumë sepse ai përshtatet me natyrën time. Mendoj që do dëgjohej shumë bukur me zërat tanë, siç edhe ndodhi për aq sa zgjati. Nëse do të kishte një bashkëpunim mes meje dhe atij, do preferoja të ishte një baladë. Ai ka një zë shumë të ngrohtë dhe kjo do të na shkonte më shumë.

Do të kemi këngë të reja së shpejti?

Doja dhe një hit për verën, por nuk më ka ardhur diçka që të më ngrohë mjaftueshëm. Për momentin do mjaftohem me këtë me G-Bani, që do të mbulojë të tre muajt e verës. Më pas vjen një tjetër këngë në tetor.