Algert Sala ka publikuar projektin e tij më të ri. “Sa më do” mban titullin kënga e radhës që ka hyrë këtë javë në “The Top List”.

Në fakt ky projekt vjen i paralajmëruar më herët dhe nuk na gjeti shumë në befasi. Muajin e kaluar, Algerti teksa ishte i ftuar në emisionin “Live From Tirana” në Top Albania Radio, u shpreh se do të sillte një këngë të re pa u mbyllur vera.

Po punoj për një, por temperaturat duket sikur po na bllokojnë trurin dhe kemi ngecur pak prej tyre. Do të jetë një projekt solo, duetet janë shumë të vështira të bëhen sepse duhet gjetur personi i duhur. Gjatë procesit të krijimit të demove, vjen më natyrshëm emri i artistit dhe për momentin nuk ka njeri. Pres që ta lançoj brenda verës dhe jo më vonë.

“Sa më do” i ka qëndruar besnike stilit të vetë Algertit. Megjithëse një baladë, kënga vjen me disa nota ritmike, që nuk bëhet aspak e mërzitshme.

Artisti e ka mbajtur fjalën dhe nuk na ka zhgënjyer me këtë krijim të tijin. “Sa më do” e ka renditur artistin në vend të 84-të këtë javë.