Pak ditë më parë Alban Skënderaj dha lajmin e bukur për të gjithë fansat e tij dhe jo vetëm, se do të festojë 20 vitet e karrierës në muzikë, me një koncert në stadiumin “Air Albania”, koncert që do të mbajë emrin “Motiv i Jetës Time’, njësoj si kënga e parë që e bëri Albanin që njohim të gjithë sot. Sipas detajeve të para që ndau, koncerti do të mbahet më 6 qershor në stadiumin kombëtar, ku artisti do të performojë hitet e tij më të mëdha e duhet thënë se që nga momenti njoftimit, interesi për koncertin ka qenë i jashtëzakonshëm.
Sigurisht, dashuria e publikut për Albanin nuk vihet në dyshim, megjithatë falë postimeve në rrjetet sociale, kemi parë se të shumtë kanë qenë ata që janë shprehur entuziastë për eventin, teksa interesi i njerëzve është vënë re jo vetëm nga rrjetet sociale apo mediat, por edhe nga biletat e blera deri më tani për koncertin. Së fundmi ka qenë vetë Albani që ka bërë me dije se janë blerë plot 7500 bileta, vetëm dy ditë pasi kanë dalë në shitje.
Në postimin njoftues për “Motiv i Jetës Time” Albani u shpreh se ky është “maksimumi që mund të ofrojë” për fansat e tij. Me gjasë ky koncert do jetë një event që do të mbahet mend gjatë.