I ftuar në studion e “Live From Tirana” në Top Albania Radio ka qenë DJ i njohur Adam Reeves. Me një karrierë prej një dekade, DJ Adam Reeves është shfaqur si një nga figurat më të shquara në skenën e muzikës elektronike në Shqipëri. Ai është i njohur për performancat e tij energjike, bashkëpunimet e profilit të lartë dhe diskografinë e tij të larmishme. Ai na ka treguar më shumë se si nisi rrugëtimi i tij në muzikë dhe jo vetëm…

Lidhur me se çfarë e frymëzoi atë që të merrej me muzikë, Adam Reeves përgjigjet:

Një pasion i hershëm që i vogël dhe dëshira e madhe për ta ndjerë muzikën, më bëri që të futesha në këtë rrugë. Artistët e parë që më kanë frymëzuar kanë qenë Eiffel 65, një grup italian. Kryesisht jam fokusuar tek DJ dhe producentët italianë më shumë, edhe kasetat e para i kam pasur italiane.

Adam Reeves ka treguar diferencën në jetën e natës mes viteve 2000 dhe tani:

Kam punuar për shumë vite si rezident në një nga diskotekat më të mëdha të Tiranës. Është ndjesi më e mirë kur e merr direkt nga publiku, jo vetëm nëpërmjet radios. Pas viteve 2000 e ca, muzika ka qenë më e bukur, ka pasur më energji. Tani njerëzit nuk dalin për t’u argëtuar, janë më korrekt me veten, shohin mundësi për t’u dukur mirë, të flirtojnë… Njerëzit duhet t’i shijojnë party-t ashtu si duhet, si e gjithë pjesa tjetër e botës.

Si e shikon ai jetën e natës në Shqipëri në muajt që do të vijnë?

Aktualisht them që DJ-t do të kenë më potencial në lokalet e natës. Njerëzit po shikojnë se çfarë ofrojnë vendet e tjetra përtej Shqipërisë dhe po i vlerësojnë më shumë DJ-t. Një DJ i argëton më shumë njerëzit se një këngëtar, pasi ky i fundit ka performancë më të shkurtër dhe këndon playback. Një DJ sjell risi, i jep update muzikës. Edhe pse paguhen më pak se këngëtarët, por shpresoj se kjo gjë do të kthejë.

Nga ana tjetër, artisti njihet dhe për miqësinë e tij me Butrint Imerin me të cilin ka pasur dhe bashkëpunime në karrierë, për të cilin shprehet kështu:

Me Butrintin kemi një marrëdhënie shumë të mirë. Jemi miq e shokë shumë të mirë. Kemi dhe lidhje familjare me njëri-tjetrin. Ishte një eksperiencë shumë e bukur 2-vjeçare, por i kërkova që të bëja një shkëputje për të avancuar akoma me brendin tim Adam Reeves. Gjithmonë më mbështet.

Adam Reeves u bë gjithashtu kryefjalë e mediave para pak kohësh duke u përfolur se do të hynte si banor në “Big Brother VIP”. Një teori ka qenë se ai do të hynte për “t’i prishur punë Kiarës dhe Luizit”…

Është e vërtetë, unë pata marrë një ftesë për “Big Brother”. Por nuk ka qenë e vërtet një skenar i tillë. Butrinti ka qenë në një presion të madh për shkak të asaj me çfarë janë marrë portalet. Nuk do futesha për të bërë diçka në raportin Kiara-Luiz. Kiarën e kam parë më mirë me Butrintin. Kjo që ka tani me Luizin është një lidhje momentale dhe kam përshtypjen që është një lidhje interesash pas rihyrjes së Kiarës. Luizi i ka ndërtuar themelet në këtë spektakël. Mendoj se është një lidhje afatshkurtër. Lidhjet e “BB” nuk është se kanë rezistuar. Lidhja e Kiarës me Butrintin gjithmonë do të përflitet sepse vetë ajo ka shprehur se ka qenë një ndër përjetimet më të mira të saj.

Adam Revees ndau me ne dhe disa nga këngët më me impakt të fillim viteve 2000. Ai bëri gjithashtu dhe diferencën lidhur me atmoferën e muzikës asokohe dhe tani…

1. Bob Sinclar – World Hold On

Kjo është një këngë pas millenniumit që unë e pëlqej më së shumti. Është një këngë me mesazh, që përcjell emocion dhe është një ndër këngët më të bukura që është bërë pas viteve 2000.

2. Capital T – U bo vonë

Kjo ka qenë një nga këngët ikonë të atyre viteve, është shumë e bukur. Fakti që po e këndonim edhe ne këtu në studio do të thotë që merr notën 10. Luhej shumë nëpër lokale dikur. Ka pasur energji tjetër Tirana atë kohë. Kanë qenë vitet më të arta të muzikës dhe rinisë shqiptare.

3. Pitbull ft. Marc Anthony – Rain Over Me

Pitbulli ishte shumë i përfolur në atë kohë për shkak të jetës së tij më të mëparshme, por që më pas bëri boom. Kur erdhi ky bashkëpunim pastaj më Marc Anthony ishte hit.

4. Daft Punk – One More Time

Daft Punk janë një duo franceze, nuk ia kemi parë kurrë fytyrën dhe kanë qëndruar anonim. Janë shfaqur gjithmonë me maskë nëpër performanca. Prej një dekade të gjatë tashmë, janë ikonë e muzikës elektronike dhe dance. Kanë qenë këngë që kanë qenë pjesë e performancave të mia. Ka muzikë të bukur, tekste të bukura prandaj i lidh me mua.