Një incident i pakëndshëm i ndodhi reperit të njohur Noizy javën e kaluar, lidhur me disa probleme ligjore në Zvicër. Artisti, kishte paralajmëruar se do të performonte në një klub nate në Zyrih të Zvicrës, si pjesë e promovimit të albumit të tij të fundit, kur u arrestua në Aeroportin e Zyrihut. Mediat zvicerane raportuan se Noizy gjendej atje për të promovuar albumin e tij më të ri.
Por tani çdo gjë është lënë pas. Pas disa ditësh të tensionuara, Noizy është liruar nga paraburgimi në Zvicër, ku ishte përfshirë në një procedurë hetimore për shkak të asaj që ai e cilëson si “shpifje e pastër”. Mes gjithë këtyre telasheve, erdhi dhe një lajm i mirë për të gjithë fansat e artistit…
Ndërsa Noizy gjendej ende në paraburgim dhe pritej një vendim nga autoritetet zvicerane, skuadra që menaxhon karrierën e tij vendosi që të mos ndalej. Në një lëvizje të papritur, ata publikuan në YouTube të gjitha këngët e albumit “Icon”, të cilat më parë ishin të disponueshme vetëm në platformat audio streaming si Spotify apo Apple Music.
Ky veprim erdhi si një përpjekje për të ruajtur ritmin e karrierës së Noizyt, pavarësisht situatës ligjore. Publikimi në YouTube u interpretua si një mesazh që artisti mbetet aktiv dhe i pranishëm në skenë, pavarësisht rrethanave. Albumi “Icon”, që tashmë është plotësisht i hapur për dëgjuesit e YouTube, përfaqëson një fazë kyçe në rrugëtimin artistik të Noizyt dhe përmban bashkëpunime e solo këngë që kanë pasur impakt të madh në publik.