Pas një shkëputje disavjeçare, grupi i suksesshëm shqiptar, West Side Family, ka bashkuar fuqitë për t’u rikthyer dhe për të sjellë projektin muzikor, të titulluar “Beso”, i cili ka emocionuar pafund publikun shqiptar, me muzikën dhe mesazhin që përcjell.
Landi dhe Miri, dy anëtarit e grupit, prej kohësh kishin paralajmëruar se do të rikthenin West Side Family dhe kështu ndodhi vetëm një javë më parë. Projekti “Beso”, një dedikim për Dr. Florin, është publikuar në kanalin e “Youtube” 10 ditë më parë dhe falë sugjerimeve të publikut, kjo këngë është bërë menjëherë pjesë e “The Top List”, duke u renditur në vendin e 87-të.
I kontaktuar nga “Top Awards”, një prej anëtarëve të grupit, Roland Hysi ka folur më tej për këtë projekt muzikor dhe planet në të ardhmen.
TA: Sa kohë ka kaluar nga publikimi i fundit si grup?
Landi: Projekti “Beso” ka ardhur pas një shkëputje e cila fillon me periudhën kur Dr. Flori ishte gjallë dhe ishte angazhuar me projektet e tij, të cilat për fat të keq mbetën në mes nga ikja e tij e parakohshme.
TA: Për çfare flet kënga? Si lindi ideja për këtë projekt muzikor?
Landi : Kënga është pjesë e projekteve të Dr. Florit. Teksti i saj është shkruar rreth 10 ditë para se ai të largohej dhe i dedikohet të birit të tij.
Ai mundi të regjistronte pjesën e tij dhe refrenin. Në mendimin tim dhe ashtu si unë e shoh, mesazhi jepet qartë në tekstin e tij: #BESO! Beso se çdo vështirësi me të cilën do përballesh do kalojë! Beso se situata aktuale është e përkohshme dhe do kalojë! Lutu, beso, puno, qëndro!
Miri, Albani (vellai i Dr. Florit) dhe unë menduam t’a zhvillonim edhe më tej këtë këngë, ku pjesa e vazhdimit do të ishte një dedikim për Dr. Florin dhe ashtu u bë. Miri shkroi pjesën tjetër të tekstit dhe kështu kënga mori formën e saj.
TA: Kush është kujdesur për muzikën, tekstin dhe klipin?
Landi: Për muzikën janë kujdesur Dr. Flori, vëllai i tij Albani, Fabian Basha dhe Klodian Qafoku. Klipi ka si regjisor dhe skenarist Redi Mazi të “BlackOut Productions”. Teksti është i Dr. Florit dhe Mirit WSF (Armir Shahini) e duhet thënë se Miri është rikthyer në shkrim pas rreth 20 vitesh.
TA: Përmes komenteve të tyre, fansat shihen tepër të emocionuar, a do vazhdoni të jeni pranë tyre me muzikën tuaj?
Landi: Qëllimi i West Side Family ka qënë dhe ende është që të japë e transmetojë emocione të ndryshme me anë të teksteve.
Jemi pjesë e këtyre emocioneve të publikut dhe vazhdim i një marrëdhënieje që po tregon se po zgjat në kohë e për këtë, gjithmonë e më tepër jemi të ndërgjegjshëm e të përgjegjshëm.
Rrënqethëse! Drithëruese! – kanë qënë komentet që përshkruajnë shkurt dhe qartë atë çka ndien publiku me marrjen e mesazhit që kemi transmetuar.
Faleminderit! – ka qënë një tjetër koment i përdorur shpesh dhe ka qënë ky momenti ku rrënqethem e drithërohem unë nga publiku.
Ne lutemi, besojmë dhe do të punojmë që të jemi afër publikut, shpresojmë që të kemi mbështetjen e tyre për të cilën u jemi shumë mirënjohës.
TA: Që në javën e parë të publikimit, ndodheni në klasifikimin e “The Top List”, çdo të thotë kjo për ju?
Landi: Interesimi dhe vlerësimi për projektin “Beso”, por edhe për rikthimin e West Side Family, është i vërtetë. Ndihemi shumë të lumtur që ky projekt risjell West Side Family me Dr. Florin, Mirin dhe Landin. Shumë të lumtur për pritjen, entuziazmin, dashurinë dhe mbështetjen e treguar nga ana e publikut dhe klasifikimin në “Top Awards”. Shumë të vlerësuar nga interesimi i thuajse të gjitha mediave të shkruara, radio, vizive, portale etj për të mesuar rreth projektit dhe për t’a përcjellë atë.
TA: Cili është premtimi që do i bëni fansave të cilët ndjejnë pafund mungesën e Dr. Florit?
Landi: Dr. Flori, në shumë dimensione, është një humbje e madhe! E pazëvëndësueshme! Punuam në heshtje dhe sollëm një punë fantastike për publikun. Kemi plane për të vazhduar projekte të tjera. Dr. Flori më mungon, por nuk të kam harruar! Shumë të inkurajuar për të ecur përpara!
TA: A mendoni se Kaltrina do të ecë në hapat e babait të saj, Dr. Florit?
Landi: Kaltrina është vajzë shumë inteligjente dhe me sa kam parë, me shumë talente. Duket se ka ngjarë nga “brumë” shumë i mirë dhe po rritet në frymë e kujdes shumë të mirë familjar. Uroj pa fund që të ecë e frymëzuar nga pasionet dhe talentet e babait të saj dhe të shkëlqejë në rrugëtimin e jetës së gjatë. Më e mira nuk ka ardhur ende. Beso!