Ajo është shndërruar padiskutim në një ndër këngëtaret më të kërkuara së fundmi në tregun muzikor shqiptar. Bëhet fjalë për Tayna, e cila edhe pse ka një vit që ka ka publikuar projektin e saj të parë muzikor, ajo ka arritur të rrëmbejë zemrat e publikut shqiptar.

Artistja, e cila u bë e famshme falë “Columbiana”, bashkëpunimit të saj të parë me Don Phenom, vazhdon akoma të sjellë projekte të shumta qofshin ato “solo” apo bashkëpunime. Së fundmi reperja ka zgjedhur të vijë me tre bashkëpunime rresht.

Tayna x Cricket – Caliente

Sezonin veror artistja e nisi me “Caliente”, një bashkëpunim me Cricket. I publikuar në muajin qershor, ky projekt muzikor arriti të merrte votat e mjaftueshme për t’u futur menjëherë në klasifikimin e “The Top List”, duke u pozicionuar në vendin e pestë, një pozicion ky mjaft i rëndësishëm për një hyrje të re muzikore. Pavarësisht se kanë kaluar plot 9 javë, “Caliente” vazhdon të mbetet e preferuara e publikut shqiptar, duke u pozicionuar në vendin e 6-të.

Tayna x Mc Kresha x Lyrical Son – Pasite

Një super bashkëpunim është konsideruar “Pasite”, një bashkpunim mes Tayna, Mc Kresha dhe Lyrical Son. E shprehur tepër e lumtur për këtë bashkëpunim muzikor, Tayna ka zbuluar se gjithcka ka nisur duke kënduar koverat e tyre por që më në fund arriti të bashkëpunonte me ta. Që në javën e parë të publikimit, “Pasite” arriti të rrëmbente vendin e parë, duke e ruajtur këtë pozicion për dy javë rresht.

Tayna x Dafina Zaqiri – Bye Bye

Bashkimi bën fuqinë dhe në fakt fuqishëm ka ardhur bashkëpunimi Tayna dhe Dafina Zeqirit, “Bye Bye”. Dy artistet e njohura kanë vendosur të bashkojnë fuqitë dhe të vijnë mjaft energjike në këtë projekt muzikor, i cili menjëherë ka rrëmbyer vëmendjen e publikut shqiptar. “Bye Bye” është bashkëpunimi i dytë i Tayna-s brenda dy javësh, duke lënë kështu të nënkuptohet se artistja punon fort, pavarësisht koncerteve të shumta që ka këtë sezon veror. Edhe pse është futur menjëherë në klasifikim, kjo këngë nuk ka patur një debutim shumë të mirë, duke u pozicionuar në vendin e 73-të.