Siç mund ta keni vënë re edhe ju, projektet e reja muzikore që janë publikuar këtë sezon veror kanë qenë të shumta, por mbajtja e koncerteve jo dhe aq. Disa artistë i kanë munguar skenës këto kohë për arsye të panjohura.

Disa nga artistët që kohët e kaluara kanë qenë shumë aktivë në koncerte, këtë vit nuk ka ndodhur kështu. Këtu mund të përmendim Luanën, Encën apo edhe Art Abazin. Por përse kanë vendosur kështu?

Si fillim, Luana ka qenë shumë e zënë duke u marrë me projekte të tjera televizive. Ajo ka qenë shumë e suksesshme në projekte në televizion ku e kemi parë si në rolin e moderatores, por edhe të autores së emisionit të saj në “Top Channel”. Nga ana tjetër ajo ka nxjerrë në treg dhe linjën e saj të aksesorëve, çantave dhe kapeleve. Dhe për këtë arsye mbase dhe karriera e saj muzikore ka qenë e vakët këtë periudhë.

Enca Haxhia këtë verë nuk ka qenë e pranishme në thuajse asnjë koncert muzikor. Kjo pasi 25 vjeçarja vendosi që t’i anulojë të gjitha mbrëmjet e po ashtu të bëjë një tërheqje për t’i kushtuar më shumë vëmendje vetes, sipas saj.

Një emër tjetër që ka qenë i lakuar për arsyen se nuk e kemi parë nëpër koncerte, ka qenë dhe Art Abazi. Ky i fundit duhet thënë se vërtet ja kemi ndjerë mungesën. Në fakt, Arti u pëlqye shumë nga publiku me dy këngët e tij që u bënë pjesë e “The Top List”, si “Ndoshta ke harruar emrin tim” dhe “S’më doje”.

I pyetur nga fansat e tij në rrjete sociale se pse nuk ka qenë më aktiv nga kjo anë, Arti duket se nuk i ka kursyer aspak ironitë apo kunjat. Ai nuk ngurroi të thoshte se arsyeja është se ai nuk ka përdorur fjalët “Habibi” në tekstet e tij dhe se nuk ka kënduar gjermanisht. Dikujt duhet t’i ketë djegur kjo, por ne vërtet që ja ndjejmë mungesën në skenë Artit.