Me zërin e mrekullueshëm të Ana Bakaj jemi njohur në “The Voice Of Albania 5”. 19-vjeçarja me origjinë nga Shkodra ka qënë gjithashtu një prej triumfueseve të “Tirana Art Fest”, nga e cila përfitoi një kontratë bashkëpunimi me shtëpinë diskografike amerikane “360M Records”.

Rreth dy javë më parë Ana ka publikuar projektin e saj të parë muzikor të titulluar “Reckless”, e cila mban vulën e shtëpisë tashmë të njohur diskografike “360M Records”. Kjo këngë flet për një çift që ndahet dhe vajza kupton që ishte vetëm ajo që jepte gjithçka në këtë lidhje. Përderisa ndjenjat nuk janë të njëjta për të dy ata, vajza vendos t’i japë fund kësaj romance në mënyrë që të mos lëndojë veten e saj.

E publikuar në fillim të muajit janar, kjo këngë ka mundur të bëhet pjesë e “The Top List” këtë javë, duke u pozicionuar mjaft mirë. “Reckless”, e cila është publikuar në platformat muzikore si “iTunes”, “Spotify” dhe “Deezer”, mban vendin e 30-të në klasifikimin e 50 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare.