menu

Alban Ramosaj zbulon detaje rreth dy projekteve të reja muzikore, “A Thu Pse” dhe “Get High”


Ora: 14:31 Datë: 06/09/2018

Alban Ramosaj është kthyer fuqishëm në klasifikimin e 100 këngëve moderne shqiptare me dy hyrje të reja, “A Thu Pse” dhe “Get High” të cilat renditen përkatësisht në vendin e 3-të dhe të 51-të.

Ndërkohë që “A Thu Pse” është pjesa e dytë e trilogjisë së tij “Hiraeth”, “Get High” nga ana tjetër bashkon për herë të parë motër e vëlla në një projekt në gjuhën angleze. Për të zbuluar më shumë rreth këtyre dy prurjeve Alban Ramosaj ka folur për herë të parë për Top Awards:

TA: “A Thu Pse” ka vetëm 1 javë në “The Top List” dhe menjëherë është renditur e treta më klasifikim, a e prisje këtë sukses?!

Albani: Nëse nga këngët e tjera mund të kem pritur pak, nga i gjithë projekti “Hiraeth” nuk kam asnjë pritshmëri. Asnjë pritshmëri në kuptimin që e kam shkruar e realizuar për hir të historisë që ka mbrapa dhe e kam gdhendur me bashkëpunuesit që t’i përshtatet shijeve të mija muzikore e ritmit tim të brendshëm në çdo tingull e rrahje. Jo se të tjerat nuk i punoj me kaq kujdes e pasion por me këtë kam dashur të jem më shumë se çdo herë vetja pa patur mendime të tipit, “-duhet të bëj kompromis me një përqindje të lehtë të stilit që të jetë më e tretshme për veshin e publikut”. Nuk e prisja, por jam shumë falenderues që fansat edhe bordi i Top Awards po më vlerësojnë mua dhe këtë projekt që e kam shumë, shumë përzemër.

TA: Nga lindi mendimi dhe dëshira për të realizuar një trilogji si “Hiraeth” dhe kush ka qenë ‘muza’ jote?

Albani: Nga vetë nënkuptimi i fjalës “Hiraeth” mund të kuptohet shumë lehtë se ç’më ka inspiruar. (Qesh)

TA:  A mendon se “A Thu Pse”, e dyta e “Hiraeth” do të tejkalojë suksesin e hitit “A më do” që prej 4 javësh ka qenë në krye të “The Top List” menjëherë pas publikimit?

Albani: Të jem i sinqertë nuk e mendoj por thonë kurrë mos thuaj kurrë. Sido që të jetë, të dyja janë këngët e mija kështu që suksesi në një vend shkon.

TA:  Në tekstin e këngës si edhe në klip zbulohen momente nostalgjie nga mungesa e vajzës së zemrës, a ke mbetur zemërthyer nga ky person?

Albani: Të gjitha i kam thënë në këngët e “Hiraeth”-it (qesh) përfshirë dhe përgjigjen e kësaj pyetje. Me zor pres të publikoj dhe pjesën e tretë, të kalojë pak kohë dhe të mbyll këtë kapitull. Është si një thikë me dy presa kur i dëgjoj këto këngë në radio apo televizion.

TA: Pjesë e klasifikimit të 100 këngëve moderne shqiptare është edhe bashkëpunimi me Beatrix që ka rrëmbyer menjëherë zemrat e publikut, pse ka vonuar kaq shumë një bashkëpunim mes jush?

Alban: Po, dhe jemi shumë të lumtur e të kënaqur! Shumë shpesh shkruajmë bashkë kur ndodhemi në studio apo në shtëpi duke luajtur ndonjë ‘beat’ në laptop apo 3-4 akorde në kitarrë. Nuk kam një përgjigje të saktë për këtë pyetje por mund të them që momenti u ndje i duhur gjithashtu dhe koha dhe realizuam e publikuam projektin tonë të parë bashkë. Me shumë mundësi mund të publikojmë dhe ndonjë këngë tjetër nga arkiva e përbashkët që kemi.

TA: Cili është mesazhi që përcjell “Get High” dhe përse keni vendosur të vini me një këngë në gjuhën angleze?

Albani: “Get High” është shkruar për të nënkuptuar ato momentet kur gjërat përreth teje të ngarkohen në atë pikë ku ti thjesht do të ikësh buzë një lumi dhe të heqësh mendjen – secili në mënyrën e tij/saj, dikush përdor substancë, dikë e bën “high” dashuria e partnerit, dikë tjetër një këngë e bukur etj… Anglisht sepse na erdhi natyrshëm që në fillim ta shkruanim të tillë dhe menduam ta mbanim në këtë formë. Shpeshherë ‘demo’-t e këngëve i shkruaj të tilla pastaj i shkruaj dhe i adaptoj tekstin në shqip.

TA: A do të vijë ky projekt muzikor edhe me një videoklip?!

Albani: Mbase, të dy kemi qenë aq të ngarkuar me seancat në studio dhe punë të tjera sa nuk kemi arritur të konkretizojmë një skenar apo një datë për të xhiruar një klip për këngën. Dëshira është aty, nuk po mohoj as pohoj gjë, le të shohim se çfarë fsheh e ardhmja!

TA: A je duke punuar për projekte të reja muzikore, nëse po, sa dhe kur do të mund të lançohen?

Albani: Sigurisht, çdo moment të ditës e kam mendjen tek krijimi dhe realizimi i këngëve e projekteve të ndryshme. Nuk kam data konkrete por mundohem që sapo t’i kem gati t’i publikoj në momentin e parë që mundem.