Një këngë me një tekst bazuar në histori të vërtetë është prurja më e re e Majk. “Nuk dorezohena” titullohet kjo këngë, për të cilën Majk ka shpjeguar se ka të bëjë me jetën e tij.

Përmes një postimi të bërë në rrjetet sociale, Majk shkruan: “Kam kënaqësinë të ndaj me ju një këngë që ka të bëjë me jetën time, besoj edhe me jetën e shumë prej jush që shumë herët filluat të punoni e të besoni në ëndrrat tuaja. Jeta është sfidë, mos u dorëzo, përballu me të”.

Në tekstin e këngës Majk shpjegon vështirësitë që ka hasur për të arritur këtu ku është sot por tashmë nuk ka frikë nga asgjë pasi synimi i tij është vetëm suksesi.

Duket se fansat kane vlerësuar pafund sinqeritetin e Majk, pasi kjo këngë jo vetëm është futur menjëherë në “The Top List”, por është pozicionuar në vendin e 9-të.

Por a është ky debutimi më i mirë i Majk?

Pavarësisht se është pritur mjaft mirë nga publiku shqiptar, “Nuk dorezohena” nuk është debutimi më i mirë i reperit pasi po të kthehemi pas në kohë, vëmë re se “Tarantino” është kënga e re e Majk e cila është renditur që në javën e parë në vendin e 4-t.

Publikuar në nëntorin e vitit 2017-të, “Tarantino” në atë kohë u cilësua si një projekt që e riktheu Majk në zhanrin e “Hip -Hop”, të cilit i ishte larguar për disa kohë.