“Mos ik” është projekti i fundit muzikor i Ronela Hajatit, i cili po ecën mjaft mirë në tregun muzikor.
Në një intervistë të dhënë për “Select”, këngëtarja ka zbuluar më shumë detaje sa i përket prurjes së saj më të re.
Ndërkohë që në një frazë të këngës ajo thotë: “Mos ik tek tjetra”, drejtuesja e programit Liesa, ka pyetur Ronelën se kujt i thotë ajo “Mos ik”.
Këngëtarja ka arritur ta menaxhojë mjaft mirë këtë pyetje, duke u përgjigjur: “Ndërkohë që ti më pyet se kujt i them unë mos ik, mua më kujtohen ato ditët e ftohta, sa isha gati t’i thosha ndonjërit hajde më ngroh”. Këngëtarja ka vijuar më tej shakanë e saj, duke shtuar se “Mos Ik” i thoshte ngrohëses.
Përtej shakasë, Ronela ka treguar se ky material i ka marrë shumë kohë, pasi ka nisur që në muajin nëntor dhe ka arritur të dalë në treg në fillim të muajit shkurt. “Mos Ik” është një këngë me muzikë dhe tekst të vetë artistes ndërsa për gjithçka tjetër është kujdesur Big Bang. Sa i përket klipit, ai është punuar nga Valon Aziri, për të cilin është punuar rreth 48 orë rresht pa pushim.
Por cili është detaji që i pëlqen më shumë Ronelës në gjithë këtë projekt muzikor?
“Kjo është një këngë që kishte nevojë për një klip të veçantë”, shprehet Ronela. “Nuk është një këngë komerciale por një këngë që unë e kam ndjerë shumë por është klipi ai që mund ta bëjë atë komerciale. Kështu që njerëzit duhet ta shohin disa herë klipin, që t’ju futet kënga në kokë.”
“Mos Ik” është bërë pjesë e klasifikimit të “The Top List” rreth 3 javë më parë dhe gjatë kësaj javë ajo ka mundur të ngjitet mjaft mirë, me plot 19 pozicione. Për këtë javë ajo mban vendin e 26-të.