Një javë e re dhe me ndryshime kjo në “The Top List”. Top 5 ka pësuar disa ndryshime, ndoshta jo dhe aq surprizë.

Yll Limani ka arritur që të marrë kreun e kësaj jave të listës së 100 këngëve më të mira shqiptare me “Lshoja zanin”. Kjo këngë mesa duket ka rezultuar si më e preferuara e publikut duke marrë parasysh dhe votimet që shpesh e kanë pozicionuar më lart në krahasim me këngët e tjera të albumit me po të njëjtin titull.

Pas tij në vend të dytë renditet Alban Skënderaj me “Spektatore”. Po ashtu dhe ky është një projekt mjaft i pëlqyer nga Albani. “Spektatore” është prej 10 javësh tashmë si pjesë e klasifikimit të “The Top List”.

Ledri Vula është renditur në vend të tretë për këtë javë me projektin e tij të fundit, “Lockdown”. Vendi i katërt për këtë javë i takon Semi Jaupaj me “Mos u kthe”, një nga hitet e padiskutueshme të kohëve të fundit. Kjo këngë renditet tre vende më poshtë nga java e kaluar.

Për ta mbyllur Top 5 këtë javë, kemi Capital T me “Për ty”. Kjo është një nga këngët e publikuara dy në një që artisti ka lançuara para disa javësh, “Për ty & Dy zemra”. Rikujtojmë se javën e kaluar ishte “Dy zemra” projekti që mbylli listën e Top 5.