Këngëtari dhe kantautori i njohur Yll Limani ka publikuar së fundmi këngën e tij të re që mban titullin “Për kon je zbukuru”, që ka hyrë këtë javë në klasifikimin e “The Top List”. Kjo këngë u prit mjaft mirë nga publiku që në çastet e para të publikimit.

Në vetëm pak orë “Për kon je zbukuru” arriti të siguronte mijëra klikime në Youtube po ashtu edhe mjaft komente. Por diçka tjetër duket se ka tërhequr vëmendjen e një pjese të audiencës.

Në rrjet është duke qarkulluar një video, sipas së cilës thuhet se kënga mund të jetë ‘e kopjuar’ nga The Weeknd pasi vija melodike e saj përngjan shumë me këngën “Blinding Lights”.

Disa prej komentuesve mendojnë se artisti është The Weeknd-i shqiptar prandaj dhe kënga duket e ngjashme, dikush tjetër mendon se është frymëzuar nga këngëtari kanadez, të tjerë e akuzojnë për vjedhje apo ngjashmëri të madhe. Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që Ylli krahasohet me The Weeknd.

Edhe kënga “Buzët e kuqe” para pak vitesh është përfolur se përngjante po me “Blinding Lights”. Gjithsesi nuk mund të mohojmë se “Për kon je zbukuru” ka krijuar një impakt mjaft të madh tek publiku, të cilët me votat e tyre e kanë pozicionuar menjëherë në vend të pestë të listës.