Xhesika Polo vjen këtë javë si hyrje e re në ”The Top List” me “Humba Veten”. Një këngë kjo me mesazh mjaft të fuqishëm, ku Xhesika është shprehur se gjatë një periudhe është ndjerë e trishtuar dhe mjaft e humbur.
Më datë 7 Prill, në ditëlindjen e saj, Xhesika Polo solli projektin muzikor “Humba veten”. Një këngë shumë personale, me një videoklip dhe fjalë të thjeshta për të përçuar një mesazh dhe gjendje emocionale tek dëgjuesit.
Në postimin e promos, Xhesika ndau edhe një shkrim që shpjegon fabulën e këngës. Ajo shpjegoi:
Humba veten’ është kënga e shpirtit tim. Shpirtit që padashur kishte humbur dita-ditës. Kënga që shërbeu si terapi për të rigjetur veten dhe jam shumë krenare që gjeta forcën për ta ndarë me ju. Është e vështirë të pranojmë që ndonjëherë i humbim betejat me veten, vetëm e vetëm për të rilindur më të fuqishëm.
Xhesika ka shprehur më herët se ka marrë shumë mesazhe pozitive për këngën ndërsa për të është shumë e rëndësishme të njohë kulturën njerëzore, por pati një moment që humbi këtë dëshirë dhe rrjedhimisht, veten. ”Humba veten” e ka pozicionuar Xhesikën në vend të 40-të për këtë javë.