E ftuar në episodin e sotëm të “A Live Night” ishte Xhensila Myrtezaj, në një rrëfim të jashtëzakonshëm të saj. Shumë e sinqertë dhe pa filtra, Xhensila rrëfeu për jetën e saj profesionale, nga hapat e parë në muzikë, deri të vështirësitë dhe sakrificat e shumta, teksa na tregoi edhe më tepër për jetën personale, dashurinë e saj për Besin, dhe njeriun më të shtrenjtë, pikërisht Ajkën.

Në një episod ku veç intervistës së artistes, Xhensila solli edhe disa interpretime të mrekullueshme të këngëve të saj, ku nuk munguan as sekrete të vogla lidhur me ato projekte muzikore. Ndërkohë, ajo u shpreh edhe për fëmijërinë e saj, teksa na tregoi më tepër për raportin e ngushtë me nënën dhe motrën e saj.

Në fakt fëmijëria ime ka qenë paksa e pazakontë. Duke qenë se prindërit më janë divorcuar në një moshë relativisht të vogël timen. Ka qenë një periudhë sfiduese, edhe pse fëmijë, kuptova se çfarë ishte jeta, ndoshta shumë më shpejt se bashkëmoshatarët e mi… Kuptova që mes sakrificës, mes dhimbjes, ti kupton vërtet se çfarë është jeta dhe se çfarë ty të duhet në jetë – familja, që është shumë e rëndësishme që unë e kam shumë të shenjtë dhe sot e kësaj dite është objektivi më i rëndësishëm i jetës sime.

Nëse do i përulesha një njeriu në jetë ajo është vetë nëna ime. Sakrificat e nënës sime kanë qenë të jashtëzakonshme. Jam e sigurt, tani që jam vetë nënë, është instikti ai që të bën luftarake, më shumë protektive, për fëmijën, për krijesën që ti ke sjellë në jetë. Për mamanë time ka qenë shumë e vështirë. Ajo e ka kamufluar gjithmonë dhimbjen, gjithmonë vështirësitë në mënyrën më të mirë. Tani e kuptoj shumë herë më shumë seç e kam pasur kuptuar më parë, duke qenë se jam nënë, edhe kam edhe përkrahjen e bashkëshortit, Besit, në çdo kohë, edhe prap është e vështirë mëmësia. E merre me mend si është për një grua të vetme që t’i sigurojë ushqimin, t’i sigurojë shkollimin, t’i sigurojë edukimit vajzave të saj. Gratë janë më të forta se gjithçka na rrethon.

Marrëdhënia ime me Albën sa ka ardhur dhe është forcuar e më shumë. Unë Albën nuk e kam thjesht motër. Ajo është më çapkëne se unë. Më e fortë se unë. Unë jam natyrë më e brishtë. Ajo është ‘djali i shtëpisë’. Për mua është motër, është vëlla. Është kudo me mua, në koncerte me mua, pranë Ajkës, pranë sipërmarrjeve të mia. Alba është ajo që ‘m’i mbron shpatullat’ gjithmonë. Nuk ka dhuratë më të madhe se ajo që më ka bërë mami që më ka sjellë motrën në jetë, edhe një nga ëndrrat e mia është që në të ardhme edhe Ajka të ketë një motër.

Ndëkrohë, ajo u shpreh më tepër për dashurinë e saj të madhe, muzikën.

A ka qenë teraupetike muzika për mua?! Definitivisht 100% po. Më ka shoqëruar në çdo etapë të jetës. E si mund të ndodhë ndryshe?! Ka qenë medikamenti më i mirë për mua, ka qenë kamomili i shpirtit tim. Muzika është thjesht qetësia ime, frymëziimi im, është gjithçka që unë jam dhe përfaqësoj.

Por cili është mësimi më i vyer që Xhensila ka mësuar? Këtë na e zbulon artistja në “A Live Night”!

Mësimi më i mirë, më i vyer është gjithmonë të kem dinjitet. Dinjiteti është mbi gjithçka. Çfarë përkthehet me dinjitet?! Të jesh besnike me veten tënde, të jesh besnike me njerëzit që ke përreth. Besnikëria është virtyri më i rëndësishëm për çdo person. Aty nis gjithçka. Në çdo marrëdhënie. Nëse ti ke besnikëri si në raport familjar, si në raport shoqëror, si në raport sipërmarrje, gjithmonë do jesh me kokën lart dhe i pacënuar, i paprishur nga rrethanat që të rrethojnë.

Por kur ka hyrë muzika në jetën e Xhensilës?!

Unë besoj se kam lindur me muzikën dhe nuk di se kur ka nisur gjithë ky pasion dhe gjithë kjo dashuri për të shtrenjtën time muzikë. Më ka shoqëruar në çdo etapë të jetës. Më ka shoqëruar edhe kur jam mërzitur, edhe kur kam qenë e lumtur, edhe kur kam përjetuar dashurinë time të parë, edhe kur kam pasur festën e parë të abetares. Mendoj se muzika ka qenë bashkëudhëtarja ime, gjithë rrugëtimit tim jetësor.

Gjatë “A Live Night”, Xhensila na zbuloi hapat e parë në muzikë dhe kur kanë qenë çastet e para kur ajo ka kënduar para një publiku të gjerë.

Kjo është një histori se kur mami im e ka kuptuar që unë vertët kam talent. Ne këndonim kur ishim bashkë në shtëpi dhe kur na fikeshin dritat bënim ato koncertet tona si e si që unë mos të ndieja praninë që ishin larguar dritat dhe nuk do shihja televizor ose nuk do mësoja dhe ajo organizonte minikoncerte të vogla.

Mami më ka ushqyer shumë me besim. Ne çdo vit shkonim në 12 qershor në festën e kishës, unë aty kam dhënë koncertin tim të parë recital. Spektatorët e mi të parë ishin njerëzit që ishin mbledhur për të kremtuar dhe për të festuar. Besoj se ajo ka qenë një ogur që unë kam pasur vazhdimësi të pafundme me muzikën.

E teksa u shpreh për dashurinë e saj të madhe muzikën, Xhensila na zbulon gjithçka, nga artistët e preferuar, deri te hapat e parë në muzikë tek “Gjeniu i Vogël”.

Këngëtarët e mi të preferuar kanë qenë Whitney Houston, Michael Jackson, Mariah Carey, Billie Eilish, Lana Del Rey. Dhuratat që mami më bënte çdo ditëlindje ishin kasetat e këtyrë këngëtarëve. Unë këndoja nëpër shtëpi, më dukej vetja si ato, kënaqesha me aq pak, por që për mua ishte shumë.

Dalja ime e parë ka qenë te “Gjeniu i Vogël”. Dikush më dha një gur të vogël nga kisha që të më sillte fat. Ndodhi që pas diku tre muajsh bëra audicionin tim të parë te “Gjeniu i Vogël” dhe e mbaja gurin fort në dorë. Në një moment, Alketa Vejsiu, ndërhyn në mes të këngës dhe më pyet se çfarë ishte. Asgjë nuk është rastësi është Zoti anonim që i vendos gjërat aty ku duhen.

E ku ka më bukur se të kesh profesion atë që ti do vërtet shumë, pasionin tënd, dashurinë tënde për muzikën. Kur i merr frytet prej saj, janë frytet më të ëmbla që mund të marrësh. Arti mban çdo artist gjallë. Unë mendoj që pa muzikën, pa artin tim jam një shpirt jo i gjallë, një shpirt i vdekur. Mos të flasim për përfitimet, por për atë që mua më jep përmbushje. Arti është përmbushja ime dhe jam shumë e lumtur që është bekim edhe në profesionin tim.

Xhensila na tregon fillimet e saj në muzikë. Nga “Gjeniu i Vogël” tek “Ethet e së premtes mbrëma”, ky ka qenë rrugëtimi i artistes.

Në popullaritetin ku ka shënjuar, kanë qenë “Ethet e së premtes mbrëma”. Madje sot njerëzit, më thonë të mbaj mend që tek “Ethet e së premtes mbrëma”. Aty ka shenjuar karriera ime. Ka qenë e jashtëzakonshme. Të mendosh edhe mosha. Je një adoleshente që fillojnë të njohin të gjithë, të komplimentojnë të gjithë. Në shkollë fillon bëhesh më speciale… Ka qenë një periudhë shumë e bukur e jetës sime. “Ethet e së premtes mbrëma” kanë qenë shkollë për mua.

Bashkë me suksesin, vjen dhe fama. Por sa e lehtë dhe e menaxhueshme ka qenë ajo për artisten?!

Fama ka ardhur gradualisht. Ka qenë e pashmangshme që nga momenti ku u bëra pjesë e botës së artit, e muzikës, sigurisht që do bëhesha pjesë edhe e botës së showbiz-it. Me dëshirën, pa dëshirën time, u ndodha në një situatë që jo shpeshherë dua ta jetoj, edhe ta kem në jetën time. Ka të mirat e veta, por ka edhe të këqijat e veta. Jetojmë në një moment që gjithkush ka mundësinë të shprehë mendimin e tij, jo ballë-përballë, por pas një telefoni që nxjerr mllefet e tij, nxjerr pjesën toksike, helmet e tij, pa ditur fare për jetën tënde, për çfarë bën ti, sa ke sakrifikuar ti, pa ditur fare parimet e tua… Si këta njerëz vetëkënaqen me këtë gjë?! Është shumë diabolike. Është një sëmundje që duhet shëruar patjetër, nuk na vret ne më shumë sesa ka për t’i vrarë ata në të ardhmen…

E teksa u shpreh për dashurinë e saj të madhe muzikën, Xhensila na tregon se çfarë është vërtet sukses për atë. Duket se për një artiste të tillë, dashuria e publikut është fitorja më e madhe.

Pasi u konkretizua deri diku, u konsolidova si imazh tek “Ethet e së premtes mbrëma”, hapi tjetër ishte “Top Fest”, ku kam marrë shumë kënaqësi. Kompeticionet dhe spektaklet, festivalet si “Top Fest” realisht i mungojnë tregut. Unë jam shumë nostalgjike. Ti konkurroje jo vetëm si artiste, por ti konkurroje edhe me këngën. Ti jepje gjithçka që ajo këngë të shkëlqente në mënyrën e duhur. Futeshe shumë në brendësi të gjithçkaje. Çdo hap, çdo sektor e shijoje. Kam kujtime shumë të bukura nga “Top Fest”.

Përveç çmimeve, ndonjëherë ti merr përmbushje edhe nga gjërat më të vogla, nga një përqafim i sinqertë i një fanseje, nga një dedikim i një dashamirëse. Këto janë suksese të vërteta. Ti aty kupton sesa shumë bën arti jot edhe se si përcillet tek njerëzit dhe sa shumë dashuri ata të kthejnë nga pas. Mendoj se ka shumë momente të tilla. Dashuria e njerëzve, duartrokitjet e tyre, ajo është fitorja më e madhe. Besoj se këto janë ato momente që mua më përmbushin, janë momente të thjeshta por që për mua kanë shumë vlerë…

Te baladat e gjej veten. Aty më fle shpirti 100%. E dua çdo këngë që unë këndoj. Për sa i përket Xhensilës, e përmbushur është kur këndon balada.

Jo vetëm për muzikën, por artistja na ka folur edhe për jetën e saj personale, nga ku sigurisht nuk mund të mungonte Besi.

Zemërgjerësia e Besit më ka përfshirë edhe mua. Besi ka një shpirt shumë të bukur. Nëse ka një gjë që e reflekton deri te drita e syrit, është zemra e tij e pastër, e bardhë, dëshira për të ndihmuar të tjerët. Ka një dëshirë për të ndihmuar, ai ‘bëhet copash’ për njerëzit. Unë jam rritur me Besin edhe kemi marrë shumë nga njëri-tjetri.

Ai momenti që unë vërtet e kam kuptuar se çfarë vërtet i duheshe jetës sime, ishte ai momenti kur unë kisha më shumë nevojë. Periudhën që unë jam njohur me Besin, mami im pati një komplikacion kardiak, dhe rrezikonte shumë. Besi m’u gjend pranë financiarisht, si vëlla asokohe, madje dhe gjak dha për mamin tim. Aty vërtet kuptova se pjesën tjetër të jetës sime duhet ta kisha me këtë njeriun në krah.

Duke qenë se unë jam shumë romantike, ai mundohet të jetë, por gjithmonë i rrëshkasin situatat. Kështu ndodhi edhe me propozimin e martesës. Ne ishim në Meksikë, ai kishte organizuar gjithçka buzë oqeanit. Pikërisht një natë më përpara unë pashë këtë skenën me një çift tjetër. Ai më tha po pse do ndodhë kjo situata dhe unë e kuptova që do ndodhte diçka të nesërmen. Iku surpriza… Besi tentoi të më propozonte sërish…

Kemi kaluar periudha të vështira. Çdokush i kalon. Kemi patur edhe kriza në marrëdhënie, ajo që na ka mbajtur shumë fort me njëri-tjetrin ka qenë besimi që kemi pasur në Zot që na ka bashkuar edhe në besimin tonë në dashuri. E kemi gjetur gjithmonë atë rrugëdaljen për të kapërcyer çdo moment të vështirë, dhe për të qenë prap sërish me njëri-tjetrin.

Teksa veç Besit, Xhensila ka folur për njeriun më të shtrenjtë të jetës së saj pikërisht Ajkën.

Kishim muaj në fakt që e kërkonim që të kishim një fëmijë. Dhe ndohi dy muaj pas dasmës. Ishte surpriza më e bukur në jetë. Ai moment ka qenë një nga momentet më të ëmbla në jetën time, edhe pse kisha shumë pikëpyetje në kokën time. Që të dy kishim frikërat tona. Por që mezi e prisnim një fëmijë dhe kjo gjë e bëri shumë më të lehtë pritjen e ëbël. Ishtë një shtatzani shumë e qetë, shumë e lumtur. Lajmi më i bukur ishte kur mësova se do bëhesha nënë e një vajze. Moment më i bukur i jetës ka qenë moment i lindjes së vajzës. Ende tani e kam atë ngrohtësi kur ma sollën tek faqja. Ishte momenti më i bukur në jetë. Ishte një miks ndjesish. Ndjeja dhembshuri, dashuri, frikë, e shikoja të vogël, të brishtë. Momentin e parë vetëm lutesha…

Mund të them jeta ime ka ndryshuar shumë. Ka qenë një rilindje, një pastrim shpirti. Aty ti kupton se çfarë ka rëndësi në jetë, aty ti kanalizohesh edhe tek qëllimet e tua, edhe te koha që ti ke sa e vlefshme është dhe sa shumë duhet ta menaxhosh. Këtë gjë ma ka mësuar vetëm Ajka. Jam bërë shumë e fortë, në të njejtën kohë më është shtuar ehde më shumë dhembshuria. Ardhja në jetë e një fëmijë është kanalizmi i duhur për të vazhduar jetën në rrugën e duhur. Unë si mami jam plot frikëra. Sa herë që diskutojmë edhe me Besin, për çdo gjë mendoja se mund ta bëja edhe më mirë. Ti do të jesh çdo herë edhe më mirë, krijesës tënde t’i plotësosh gjithçka.

Unë mundohem që të rris një fëmijë të lumtur, t’ia mbushim kohën me praninë tonë bashkë me Besin. Ajka tani ka filluar pianon, kërcimin notin. Puna e mëmësisë është e rëndëishme, por duhet edhe babi që ta ndihmojë mamin patjetër. Përpiqemi që të dy të jemi prindër të mirë. Për mua ka rëndësi që Ajka të jetë e lumtur në jetë.

Xhensila na zbulon vështirësitë që ajo ka kaluar përgjatë gjithë rrugëtimit të muzikës.

E para përballesh me shumë vështirësi që jo të gjithë i dinë. Pas atij suksesi fshihet një punë e madhe, një lodhje e madhe, një sakrificë, netë pa gjumë, ditë që prekesh, lëndohesh… Është e vështirë. 50% është punë, 50% është talent. Ti mund të jesh shumë i talentuar, por po nuk punove, por nuk investove, ngelesh thjesht talent… Por edhe po të jesh shumë punëtor, dhe nuk e ke atë dhuratën është e vështirë të ecësh përpara. Duhen kombinuar të dyja që të dalë formula e duhur.

Ka mungesë produksioni, stafi. Ne gjenim veshjet vetë, krijonim vijat melodike vetë. Në botë këto gjëra i kanë gati. Ndërsa ne na është dashut t’i bëjmë vetë të gjitha.

Veç muzikës, Xhensila ka vendosur të ketë edhe një tjetër angazhim profesional, teksa na zbulon më shumë në “A Live Night”.

Mua gjithmonë më ka pëlqyer e bukura. Kam menduar të përhapem dhe të kanalizohem në një fushë të tillë. E nisa me kremërat e më pas me klinikën time. Muzika nuk është e përkohshme, por ka ciklin e vetë. Unë jam edhe nënë tani, mendoj në një periudhë afatgjate, dhe do të doja në çdo lloj situate të kisha diçka që unë të angazhohesha. Jam shumë krenare që kam bërë këtë zgjedhje. Kur shikoj zonja, vajza që vijnë dhe largohen me buzëqeshje, më entuziasmon shumë. Sipërmarrja e ka mbushur jetën time jashtëzakonisht shumë.

Por cili është mesazhi i Xhensilës për dëgjuesit e “A Live Night”?!

Unë e nis nga vetja ime, unë nuk xhelozoj askënd, gjithçka e mas me veten time. Tregu është i madh, ka vend për të gjithë. Të jem e sinqertë nuk jam zhgënjyer asnjëherë në këtë industri, falë edhe mbështetjes së Besit… Kam qenë shumë e mbrojtur në karrierë. Sakrifica bëjmë çdo ditë për muzikën. Në qëndrojmë netë pa gjumë në studio… Mesazhi i vetëm është ne jemi një popull shumë i vogël, do doja ta donim më shumë njëri-tjetrin, ta falnim më shumë njëri-tjetrin, të jemi më pranë njëri-tjetrit në nevojë. Vetëm dashuria nuk duhet të çedojë… Ti shikohesh me lupë në çdo moment. Kjo është një nga gjërat që fama t’i jep. Ti je i detyruar të jesh i kuruar. Mundohem të kem një dukje të mirë, por në përditshmëri mjafton të dukem e rregullt.

Nëse do të kisha Xhensilën e vogël sot, do t’i thoja që bëhu pak më e fortë, sepse tashmë është krijuar karakteri, vazhdo rrugën që Zoti ka ndritur për ty pa dëgjuar se çfarë bëhet përreth. Nëse unë do kisha qenë natyrë pak më e fortë, besoj do isha shumë më e qetë. Këtë këshillë ia jap Ajkës gjithnjë…