Muzika shqipe këtë javë sjell një përzierje të ngjyrave ritmike dhe emocionale që reflektojnë shumëllojshmërinë e skenës aktuale. “Cka m’ke bo ti” nga Majk dhe Bardhi është një bashkëpunim dinamik që përmbledh tensionin dhe nostalgjinë e një marrëdhënieje të vjetër, me beat modern dhe refren të lehtë për t’u fiksuar.

Rina dhe Arnon na çojnë drejt një atmosfere magnetike me “Deja Vu”, një këngë me ritme elektronikë dhe energji misterioze që evokon ndjesinë e ngatërruar të njohjes së mëparshme. Nga ana tjetër, Egli dhe Sergio sjellin “Baby”, një këngë e ëmbël dhe intime, me melodi që rrjedh natyrshëm dhe që ndjek një linjë më romantike dhe sensuale.

Kjo javë është gjithashtu e pasur me prurje të reja që sfidojnë konvencionalen, si “Prototipe” nga Don Phenom, një hit i radhës, apo “Dritat” nga Lore, që ndjek një linjë më eksperimentale në zhanrin indie-pop. “I Dehun” nga Bletapërtace mbart atmosferën e ndërthurjes së muzikës së vjetër shqiptare me atë moderne, ndërsa “Raki rrushi” nga Bana Zahiti është një këngë plot nostalgji, melankoli por dhe ritëm të bukur.

Me “Shumë nxehtë (Ufff Ufff)”, Mak Zogaj sjell një valë vere me ritëm të gjallë dhe fiksues, ndërsa Kejsi Tola shfaq anën e saj të ndjeshme dhe të fuqishme vokalisht në “Nuk m’ke meritu”. Nga ana tjetër. Kidda rikthehet sërish në listë me “Lema”, një këngë që duket se e kthen artistin në ‘origjinë’. Në fund, “Kuturu” nga Bystandr është një eksperiment interesant që kombinon elemente urbanë me një tekst të sinqertë dhe introspektiv.