Vert, një nga këngëtarët e rinj por shumë të talentuar, ka publikuar këngën e tij më të re të titulluar “Pi Du” që ka hyrë së fundmi në klasifikimin e 100 këngëve më të mira të javës në “The Top List”, Top Awards. Artisti ka qenë i ftuar në “Live From Tirana” për të zbuluar më shumë mbi këtë projekt, por edhe për albumin e ri në veçanti.
Si lindi dëshira për një album?
Tani quhet si një konsumim i artistit kur publikon një album. Shumë pak po publikojnë albume. Kur punova albumin mendova që do të ketë këngë komerciale, por albumi është një mënyrë prezantimi shumë e mirë për artistin që të shprehi çfarë ka në mendje dhe albumi është për ata njerëz që na suportojnë gjithmonë. Po nuk e bëmë ne, kush do e bëjë? (qesh) Unë këngët e mia i shkruaj vetë, nuk e konceptoj dot të këndoj diçka që nuk është e imja.
Si erdhi projekti “Pi Du”?
Kur e vendosëm për titullin tingëlloi si ‘pi’ dhe ‘du’ si pije. Unë nuk e kam pritur fare, as që tani do të ishim këtu duke bërë një intervistë, as para dy vitesh që do të isha në “The Top List”. Kur nxora hitin e parë të tjerat erdhën vetë. Arti të lë hapësirën që ta konceptosh si të duash ti. “Pi Du” do të thotë që unë i dua të gjitha. Nuk kam pasur asnjë plan që të lidhja këngët me njëra-tjetrën në album, nuk jam tip që i bëj gjërat me plan. Kështu e mendova që ta fusja në album, është diçka që më erdhi në moment.
Me cilin nga artistët shqiptar do të donte Vert që të bënte një bashkëpunim?
Elvana Gjata është shumë e mirë, por nuk e di nëse do bëja një bashkëpunim. Me Butën do të bëja bashkëpunim, bëjmë të dy ‘trap music’. Me Killuan po, është shumë shumë i mirë. Është shumë i talentuar. Me Ledrin po, më duket ‘i pavdekshëm’. Edhe me Eugent Bushpepën, e kam në plan që në të ardhmen të nxjerr një këngë në këtë stil. Me Stresin nuk do të bashkëpunoja, nuk jam vetvetja tek ky stili i rrugës. Me Dafinën do të ishte shumë bukur. Sapo kam nxjerrë albumin dhe tani kemi disa bashkëpunime që do t’i nxjerr së shpejti me disa reperë të rinj.