E ftuar me anë të një lidhjeje me Skype në emisionin e sotëm të “Wake Up” ka qenë artistja Vanesa Sono. Ajo është një nga hyrjet më të reja të “The Top List”, e cila renditet e 19-ta me këngën e saj “Aroma Jonë”. Me anë të kësaj kënge, ajo ka konkuruar në Festivalin e Këngës në vitin që lamë pas. Rrugëtimi i saj në muzikë ka nisur që më herët në Shqipëri.

E kam dashur muzikën që kur kam qenë e vogël. Normalisht, kush është ai fëmijë që nuk i pëlqen të këndojë, të kërcejë dhe prindërit kanë menduar që është thjesht një fazë dhe do të kalojë. Por u konfirmua që nuk ishte thjesht një fazë në momentin e pjesëmarrjes tek Gjeniu i Vogël. Më tej me aktivitete.

Ajo ka qenë goxha aktive që në një moshë shumë të vogël në botën e muzikës. Tashmë ajo është rezidente në Angli dhe studion në Insitutin Kontemporan të Muzikës dhe Performancës. Vanesa është shprehur:

Është pak e vështirë. E vështirë për stilin e jetesës dhe për gjëra të vogla, që në fillim kur ishe në Shqipëri nuk ta merrte mendja. Përshtatja ndodhi në mënyrë graduale derisa nisa të fokusohesha më tepër tek karriera ime.

Një ndër arritjet e saj më të mëdha momentalisht është pjesëmarrja e saj në festival, ku për këtë eksperiencë, ajo ka pohuar si më poshtë:

Kjo këngë në fakt nuk ka marrë shumë kohë. Kjo këngë ishte nga ato që bëhen në një orë. Teksti nga Alban Kondi mendoj që i ka dhënë atë shtysën më të madhe përsa i përket anës emocionale. Vija melodike ka ardhur shumë thjesht dhe ka rrjedhur si projekt.

Jetesa e saj në Angli e ka favorizuar mjaft rrugëtimin e saj muzikor, pasi ky treg vlerësohet shumë. Nga aty kanë arritur të dalin emra shqiptarë mjaft të njohur si Dua Lipa, Rita Ora ose Ava Max. E pyetur nëse ajo i sheh ato si ‘idhuj’, këngëtarja është shprehur:

Normal që si idhuj po. Dhe normalisht, pjesë e të bërit atë që do si një artiste e re është të studiosh hapat e artistëve të tjerë, të cilët kanë arritur disa gjëra që ti do për të arritur në të ardhmen. Unë jam në rrugëtimin tim dhe çdo njeri ka gjërat e veta.

Bashkëpunimi i saj i parë ka ardhur me artistin naBBoo, të cilët kanë sjellë së bashku projektin “Slay Me”. Kjo këngë është transmetuar edhe në BBC.

Është bashkëpunimi i parë me producentin, që edhe aktualisht jam duke punuar. I pari ndër të shumtë, sepse do të ketë shumë bashkëpunime të tjera.