Art Rushiti, artisti i talentuar nga Kosova, ka qenë mëngjesin e sotëm i ftuar në studion e “Wake Up”, ku foli më shumë për përjetimet e tij në këtë ditë të rëndësishme, siç është 18-vjetori i pavarësisë së Kosovës, por duke u ndalur më shumë dhe tek projekti i tij më i fundit “Urime”, i publikuar në ditëlindjen e tij…

Si ka ndryshuar nga viti në vit Kosova?

Ka shumë gjëra që duhet të rregullohen, por më pëlqen që me liberalizimin e vizave rinia e ka parë botën më shumë, janë me talent. Ata e mbajnë gjallë atë vend. Talentet dhe ne që kontribuojmë në aspekte të ndryshme si muzika, sporti, arti, t’i japim zë vendit tonë. Të lutemi për ditë edhe më të mira.

Si e kujton 18 vjet më parë kur u shpall pavarësia e Kosovës?

Ishte një ditë e ftohtë por me shumë gëzim. Pas gjithë asaj sakrifice të shqiptarëve, u ka ardhur shpërblimi. Edhe pse kam qenë fëmijë më është transmetuar lumturia e të tjerëve. U dëgjua më shumë zëri jonë që prej asaj dite.

“Urime” është projekti yt më i fundit, ku e gjete frymëzimin dhe pse vendose ta ndaje me publikun për ditëlindjen tënde?

Këngët e mia bëhen prej eksperiencave të mia. Për ditëlindje nuk e kam pasur fare plan që ta bëja. Stafi nuk ishin fare të gatshëm, por u realizua. Ka qenë shumë emocionale si këngë,  ka shumë njerëz që nuk e marrin një urim në jetë. Ndoshta nga dikush që është larguar nga jeta, apo nga dikush nga i cili janë ndarë. Pse të mos kem edhe unë një këngë të tillë, sepse edhe unë nuk e mora një urim, por nuk ka gjë. Gëzohem që e kam njohur. Deri dje kam patur kontakt me të. Unë e kam uruar për ditëlindjen e saj, por ajo nuk më uroi për ditëlindjen time, por nuk ka gjë. Është nga fusha e muzikës, në nivel botëror. Nuk dua t’ia përmend emrin se nuk dua të përfitoj. Kam vetëm një bashkëpunim në karrierën time, kështu që kuptohet se kush është. E dua shumë. Gjithmonë kemi qenë në kontakt, prandaj njerëzit kalojnë nga ngrohtësia në ftohtësi. Gjithçka që dëgjoni prej meje, është Arti i vërtetë. Nuk kam njerëz që shkruajnë për mua. Unë jam vetëm dhe jam krenar. E di që e marrin ndjenjën time jo të shtirur. Nëse nuk kam ide, e lë muzikën për 1 vit deri sa të kem ide të reja. Është ana ime e brendshme që nuk mund të flas, por e këndoj.

Si është procesi yt i shkrimit të teksteve të këngëve?

Kur e bëj vijën melodike i them fjalët shqip. Kam qenë shumë kritik, tani e lë të rrjedhë vetë. Nuk bëhem pishman për asnjë krijim. Është procesi i rritjes. Tani e di çfarë dua. Prandaj po e jap një këshillë falas për të gjithë, mos nguroni të mos keni një menaxher, krijoni brendin tuaj, mos u frikësoni ndaj paragjykimeve.