Të ftuar në ‘Lancio’ ishin djemtë e grupit ‘Urban Band’. 4 artistët sapo kanë publikuar këngën e tyre të parë me videoklip. Për të folur për suksesin e ‘Në çdo hap’ dhe gjëra që nuk i dinim rreth tyre, çunat kanë zbuluar shumë në këtë intervistë për Top Albania Radio.
Është e vështirë për ta të ruajnë një marrëdhënie të mirë mes tyre dhe të mos krijohen konflikte?
Është pak e vështirë. Në qoftë se ke një miqësi me njëri-tjetrin, gjen një synim përfundimtar dhe ti do punosh vetëm për atë, gjërat e tjera janë shumë të vogla. Por dhe zihemi, jo më larg se dje u zumë. Zihemi kur vonohet dikush.
Mendojnë djemtë e ‘Urban Band’ se muzika e tyre nuk vlerësohet në vendin tonë?
Me keqardhje e them, ka ardhur momenti qe dikush të hapë krahun, sepse ka ardhur momenti dhe për ne të rinjtë. Ne kemi 7 vjet që jemi në jetën e natës dhe përveç asaj jemi përpjekur që të jemi prezent dhe në festivale. Edhe pse kemi dy pjesëmarrje në Festival, ne quhemi prapë ‘New Artist’. Vazhdojnë akoma na konsiderojnë ‘New Artist’. Të bësh muzikë në Shqipëri duhet të kesh talent, sepse normalisht ekziston dhe meritokracia, por prapë është koha që të hapë dikush krahun. Ne kemi këngë perëndimore, që ka shumë ekstazi, ritëm, efekte dhe në atë Festival që janë njerëz shumë të respektuar të botës artistike nuk dinin të dallonin një vokal nga një efekt.
A do të bëheshin çunat pjesë e spektaklit më të ndjekur në Shqipëri ‘Big Brother VIP’ në edicionin e tretë?
E kam synim të bëhem pjesë e ‘BBV 3’. Unë kam qenë fans i ‘Big Brother’ gjithmonë. Nuk kam studiuar ‘Big Brother-at’ nëpër botë sepse mendoj se filozofia është ndryshe. Luizi nuk është po e njëjta rrymë që ne kemi. Luizi është mik i joni. Unë kam patur fatin të bashkëpunoj me të në Shkodër nëpër koncerte. Ne jemi mësuar që atë që arrijme ta marrim gjithmonë vetë. Ai është një artist shumë i mirë, ka merituar shumë kohë më përpara të jetë aty ku është tani dhe si djalë dhe si artist. Nuk duam të fitojmë në kurriz të dikujt tjetër sepse dhe nëse do bëjmë bashkëpunim do jemi ata çunat që bënë një bashkëpunim me Luizin.