Shpat Deda, artisti shumë i dashur për të gjithë publikun, ka qenë mbrëmjen e kaluar në një intervistë në emisionin “Më lër të flas” në Top Channel, për të dhënë disa detaje më shumë për koncertin e tij autorial këtu në Tiranë. Bashkë me mjeshtrin dhe multi-instrumentistin e shquar Visar Kuçi dhe me producentin e njohur Tomor Kuçi, ai vjen me një format krejtësisht të ri për ta sjellë poezinë e tij të gërshetuar me një përvojë bashkëkohore për herë të parë për publikun e gjerë tiranas. Shpati do të vijë me një koncert më 19 dhe 20 maj në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse në Tiranë. Koncerti i artistit do të vijë gjithashtu dhe në “A Live Night”, në Top Channel dhe Top Albania Radio.

Pse zgjodhe që të vish në Tiranë për të bërë një koncert të tillë?

Kam ardhur shpesh në Tiranë, kam bërë dhe koncerte. Por tani është një koncert pak më i veçantë, pak më unik. Është në një farë mënyre një lloj kulminacioni i karrierës sime, në muzikën live sepse unë bëj muzikë live tërë kohën.

Pse e quan këtë koncert kulminacionin e karrierës tënde?

Sepse është një koncert që është i kuruar në çdo detaj, është shumë artistic, është shumë teatral. Ka një skenografi shumë të menduar, të dizajnuar. Është një ekip që jemi bërë bashkë dhe është një program që e kam shumë përzemër. Gjithashtu është një program që të duhet përvojë për ta realizuar. Jam së bashku me Visar Kuçin dhe Tomor Kuçin, dy muzikantë shumë të mirëfilltë. Jemi tre në skenë, por kemi dhe 7 apo 8 instrumente dhe është një lloj eksperimentimi.

Pse zgjodhe që të vish pas 15 vitesh në një koncert të tillë?

Unë e kam bërë një koncert në fakt tek Amfiteatri i Parkut të Liqenit, me një band të plotë. Por kjo është pak më serioze. Tani jam i gatshëm për të bërë diçka të tillë.

Çfar do të gjejnë njerëzit në koncertin tënd?

Nuk e kemi quajtur më kot “Udhëtim në fjalë e tinguj”, sepse ashtu e përjetojmë edhe ne që e luajmë. Këtë program e kemi performuar si një turne në Kosovë dhe ndodh një farë udhëtimi, udhëtim në poezi, udhëtim në muzikë…

Cili mendon të jetë hapi i radhës?

Nuk jam duke menduar një hap të radhës, tani këtë e kam të rëndësishëm. Koncerti do të zhvillohet në dy data 19 dhe 20 maj.

Bli biletën tënde në www.vivere.al