“A je bre normal” nga Meriton Mjekiqi është një emision dinamik dhe energjik që ofron intervista ekskluzive me emrat më të njohur të showbiz-it, veçanërisht ata që kanë lënë gjurmë në industrinë e muzikës Hip Hop. Episodi i radhës i këtij emisioni vjen me një artist të madh dhe nga më të talentuarit të tregut tonë prej shumë vitesh, Big Basta. Ai ka treguar më shumë për arsyet se pse u largua për të jetuar në Zelandën e Re, zhgënjimet e tij në muzikë, por dhe vendimin për t’u rikthyer më fuqishëm se më parë…
Cila është arsyeja që ndalove së bëri muzikë për një kohë të gjatë?
Kur kam qenë në Zelandë të Re për 6 vite automatikisht nuk kam bërë muzikë. Por unë gati-gati pauzova edhe para se të ikja, por kjo nuk ishte në dëshirën time. Pata një moment shumë të vështirë në karrierën time, ku shumë njerëz që unë kam bashkëpunuar, me mentalitetin shqiptar, më kanë bllokuar video, këngë… Deri diku është e mundur që edhe të të largojnë prej algoritmit. Kisha momente që isha dhe aktiv, por në momentin që publikoja diçka ose nuk dilte, ose binin shikimet. Kam pyetur ekspertë të fushës, por të vetmit ekspertë të fushës që kanë qenë në atë kohë, ishin ata që më kishin dëmtuar. Viktimizimi nuk është pjesë e imja, thjesht po tregoj atë çfarë ka ndodhur. A e kam përjetuar rëndë? Patjetër që po!
A ke përjetuar ndonjë fazë depresioni për shkak të largimit nga muzika?
Është dhe një nga arsyet se pse unë vendosja të ikja. Nga një njeri shumë i dalë, unë u ktheva në një njeri shumë introvert. Çfarëdo lloj gjëje që unë punoja në studio, nuk e kisha më për kënaqësi që të punoja. Dhe arrita në një pikë sa fajësoja veten ose artin time, gjë që është shumë e gabuar. Këtë e kuptova shumë më vonë.
Si e kalove këtë fazë të vështirë?
Fillova të fajësoja shqiptarët dhe doja të shkoja në një vend sa më larg, ku nuk ka shqiptarë. Fillova të fajësoja mentalitetin e shqiptarit dhe shqiptarin në përgjithësi. Ishte gabim nga ana ime. Por m’u desh që të ikja komplet në Hemisferën Jugore, sa më larg të gjithëve, m’u desh të takoja shqiptarët më të mirë në të gjithë botën dhe të kuptoja që problemi kam qenë unë, naiviteti im dhe fakti që kam qenë shumë emotiv atëherë. Kam kuptuar që artisti kur arrin një farë niveli, nuk mundet më që të jetë emotiv, artisti duhet të jetë sy-shqiponjë, pa ndjenja. Dhe kjo është një nga arsyet që artistët duhet të shprehin veten e vet në art, të tregojnë veten e vet pa asnjë lloj kompromisi me tregun.
Si ka ndikuar kjo periudhë e shkëputjes tënde nga muzika tek Vesa Luma?
Edhe me Vesën ndihem në një farë forme fajtor, sepse zgjodha që të largohem nga të gjithë. Por fakti që ne jemi për kaq gjatë bashkë, është sepse ne e kemi suportuar njëri-tjetrin në të mirë e në të keq. Gjithmonë i kam thënë Vesës: “Çfarëdo që të ndodhë mes nesh, unë nuk kurrë nuk do ta harroj përkrahjen dhe suportin që më ke dhënë në momentin tim më të vështirë.” Ajo ka qenë gjithmonë suportuese, nuk është kritikuese. Kjo është ajo që më ka bërë gjithmonë për vete dhe më bën që ta dua çdo sekond si herën e parë.
Cila është arsyeja që ka rënë niveli i muzikës dhe nuk është në nivelin që ka qenë dikur?
Ose ka rënë kreativiteti, që mbase mund të jetë 5% e gjithë arsyes. Ose mund të jetë dhe kjo tjetra, që është qetësia para stuhisë, nuk i dihet se çfarë mund të presim. Por për mua është momenti më i bukur, sepse tani kam momentin që po prodhoj.
Çfarë mund të na thuash për albumin e tretë tëndin?
Albumi do të quhet “Tirona e Nonës”. Akoma nuk e kemi vendosur se sa këngë do të ketë, edhe pse për momentin i ka 7 këngë të realizuara. Emrat që do të jenë në album deri tani kam zyrtarisht tre, Lyrical Son, Mc Kresha dhe Vesa Luma. Po mundohem që të bëj dhe një bashkëpunim tjetër, se artistët që unë dua të bashkëpunoj janë shqiptarë, por jashtë kufijve.
Nëse djali yt do të dojë të merret me muzikë, çfarë do i thoje?
100% po. Të gjitha tekstet e mia, djali im i di përmendësh. Ka një vesh të jashtëzakonshëm për muzikë. Por do që të bëhet futbollist, nuk e di pse.
Nisur nga kënga “Leji armët”, sa ndikon muzika në realitetin tonë dhe sa duhet të reflektojmë që të bëjmë një projekt të tillë për të larguar të rinjtë nga ky lifestyle që shohin nëpër filma dhe videoklipe?
Ishte një projekt i mbështetur nga OSCE e Shqipërisë, në bashkëpunim me McCann, nga Ministria e Brendshme dhe shumë organe të tjera. Ka qenë një këngë shumë e prekshme për rininë. Ajo që kam kuptuar unë është që ka qenë shumë e nevojshme të kemi këngë të tilla dhe me mesazhe të tilla. Hip Hop-i është i mbushur me dhunë, deri diku të pashpjegueshme. Të gjithë do bëhen me fëmijë nesër, çfarë do i tregojmë fëmijëve tanë? Është shumë e nevojshme edhe hapja e qëndrave kulturore që mendoj se do të sillte një përfitim shumë të madh tek të rinjtë e sotëm.
Big Basta është pyetur edhe për disa nga artistët e njohur shqiptarë dhe ka dhënë një mendim për secilin:
Unikkatil ka dhënë shumë për Hip Hopin shqiptar, ka dhënë poezi shumë të mira, ka dhënë rima shumë të mira. Edhe për faktin që ka qenë në Amerikë, ka qenë në emigrim gjithë kohës dhe është munduar të japë shumë për muzikën shqiptare. Për mendimin tim meriton një ‘Big Up’ të jashtëzakonshëm.
Edhe me Ledri Vulën kemi pak a shumë të njëjtat vite karrierë bashkë. Ka pasir një start shumë të mirë dhe gjithashtu ka prodhuar këngë të jashtëzakonshme. Në albumin e fundit i kam dëgjuar disa nga këngët, më ka pëlqyer shumë kënga “Përshëndetje Hejter”. Nuk e di a jam dakord me bashkëpunimet që ka nxjerrë kohët e fundit. Nuk e di a jam dakord që ta shoh Ledrin në atë lloj stili, në atë lloj rryme. Por uroj që t’i kthehet sa më shpejt identitetit të vet artistik. Këto dy bashkëpunimet e fundit me Elvanën janë prodiksione të shkëlqyera, shumë të mira, por nuk e di a e kisha parë Ledrin aty.
Ghetto Geasy, performer, producent, ka shkruar tekste, biznesmen, ka pasur momente që ka shkruar tekste me shumë kuptim, ka pasur momente që e ka bërë thjesht për komercin. Ka pasur një kohë të artë shumë të mirë, ka nxjerrë talente të reja të jashtëzakonshme. Respekt.
Noizy është e vërtetë që e ka pasur shumë të vështirë kur e ka nisur, sepse tregu i Hip Hop në Shqipëri nuk ka qenë aq shumë stabël, ne kemi qenë shumë pak veta atëherë. Dhe të them të drejtën reperët nga Kosova kanë qenë shumë më të përgatitur dhe shumë më dominantë. Ka punuar, e ka mbajtur me konsistencë. Unikkatil dhe Noizy kanë diçka të përbashkët, që nuk e kanë ndërruar kurrë stilin e tyre.
Kush mendon se është më i miri për ty nga këta katër artistë?
Duke marrë parasysh performancën, se sa shumë ka zbuluar talente të reja, sa shumë kanë dhënë për vazhdimësinë e Hip Hopit shqiptar, për faktin se ka dhënë shumë shfaqje dhe ka qenë i hapur për të bërë këngë nga më të ndryshmet, unë do kisha zgjedhur Getin.