“Në Kuadër të Dashurisë”, filmi i prodhuar nga Top Media ka udhëtuar këtë muaj në qytete të ndryshme si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë territorit, aty ku ndjekësit pritën me brohorima kastin e aktorëve të cilët ishin aty për të takuar fansat e tyre nga afër dhe për të bërë fotografi me ta apo për të dhënë autografe. Filmi vazhdon të shfaqet ende në kinematë Cineplexx dhe Millenium në Tiranë dhe ka një radhë të madhe njerëzish që duan ta shohin.
Po ashtu, pritjes i erdhi fundi për të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë. Shqiptarët e Belgjikës dhe Luksemburgut mund të shijojnë filmin dhe të përjetojnë të qeshura pafund që prej 8 Nëntorit, pasi filmi i tyre më i dashur do të shfaqet në kinema Kinopolis në Bruksel, Atnwerp, Ghent dhe Kirchberg – Lux.
Nga data 9 Nëntor filmi “Në Kuadër të Dashurisë” do të shfaqet edhe në kinema Cineplexx në Podgoricë. Më tej, po në 9 Nëntor filmin tuaj të preferuar do të mund ta shihni në shumë qytete të Zvicrës dhe Britaninë e Madhe. Po ashtu, kasti i filmit shkon në Zyrih të Zvicrës më datë 13 Nëntor, ku të gjithë do të kenë mundësi të takojnë yjet e filmit nga afër, për të shkëmbyer emocione dhe momente të paharrrueshme.
Për herë të parë, një film shqiptar do të vijë nga 9 Nëntori në rrjetin më të madh të kinemave Odeon në Londër dhe në Birmingham. Nga ana tjetër, nga data 11 Nëntor “Në kuadër të dashurisë” do të ‘udhëtojë’ në Greqi, në kinema Cineplexx në Selanik.
Përveç premierave, të gjithë kemi qenë mjaft kuriozë për të dëgjuar kolonën zanore të filmit, që kur kemi parë Luizin në prapaskenat e xhirimit në Korçë duke performuar në skenë. Para një muaji, artisti publikoi “Pa ty”, kolonën zanore, por ende pa një klip zyrtar. Dhe duket se pritjes i erdhi fundi! Klipi i Luizit, ku përfshihen dhe skenat gjatë filmit, u publikua pak javë më parë. Por jo vetëm kënga “Pa ty”, tani Top Albania Radio ka sjellë një album me të gjitha këngët e filmit, që mund t’i dëgjoni në aplikacionin e Top Albania Radio, në kanalin zyrtar në YouTube, Spotifydhe Apple Music!