Në shkurtin e acartë të 25 viteve më parë do të vendosej si datë zyrtare e lindjes së një radioje të re Shqiptare, data 14, e cila simbolikisht njihet edhe si dita e dashurisë apo të dashuruarve. E në fakt shpejt, dëgjuesit do të binin në dashuri me atë radio e cila kishte një emër pompoz, gramatikisht jo korrekt në anglisht, një emër i cili në mënyrë të pacipë përshkruante jo aq atë që ishte në fillim por atë që krijuesi i saj, Z. Dritan Hoxha, kishte ëndërr të bëhej; radio më e mirë Shqiptare e të gjitha kohërave, njëkohësisht më e dëgjuara. Top Albania Radio. Kështu quhej radio e Tanit dhe e një dore profesionistësh dhe vajzash e djemsh të rinj të cilët pavarësisht se me trup jetonin në Tiranën që i ngjante Kandaharit në fund vitet ‘90, në mendje kishin Hollywood-in.
Sot, në një kohë kur shumë gjëra [thuhet se] kanë humbur shkëlqimin e tyre të mëparshëm, radio mendohet [nga disa] të jetë njëra prej tyre. Ata që e mendojnë këtë sigurisht duhet të ri-mendohen kur në ditëlindjen e saj të 25-të, Top Radio është më e fuqishme dhe më ndikuese se kurrë, duke bërë bashkë shqiptarë rreth e qark globit të cilët në vitet e fundit, radion dhe kujtimet e tyre me të, i ri-freskojnë me format e shumëllojshme të komunikimit me të. Në 2 vitet e fundit Top Albania Radio numëron dhjetra mijëra dëgjues në minutë në sinjalin e saj analog, digjital dhe online. Ka një APP par execlance në të cilin mund të dëgjohen mbi 35 podcaste ditore dhe javore, podcaste të cilat gjehen edhe në platformat më të mëdha globale si Spotify apo AppleMusic. Ka një kanal-televiziv YouTube i cili performon më mirë se të gjithë televizionet jo-kombëtare Shqiptare & Kosovare. Ka një revistë-online, një nga faqet më të vizituara shqiptare online të dy viteve të fundit për t’u informuar dhe argëtuar. Ka prodhimet e saj radiofonike & televizive. Kjo sa për të përmendur disa; Në thelb ajo është një radio – por në të vërtetë është shumë se kaq. Top Albania Radio është kthyer tashmë në një hub multimedial, një platformë e cila mund të krahasohet me radiot më të mira, prej së cilave dikur frymëzohej.
Sepse Top Albania, nuk është thjesht një radio, është një mënyrë jetese
Në një vend ku nuk ka asgjë, mbase është e thjeshtë të ndërtosh diçka të re, të bukur, të admirueshme… edhe më e vështirë është të mbash atë diçka në një vend që i ka të gjitha (ose bën sikur i ka).
Në 25 vite, Top Radio ka rritur, frymëzuar, shoqëuar duke u kthyer shpesh në një mik(eshë) të mirë pa pretendime disa breza. Mosha mesatare e atyre që bëjnë Top Albania Radion sot vazhdon të jetë ajo e kohës së vizionarit që pati idenë brilante për ta krijuar. Energjia e të gjithë atyre që kontribuojnë në TAR çdo ditë, orë e minutë, është detaji që e dallon atë nga të tjerat.
E me sloganin e “25 viteve kujtime” (25 Years, Creating Memories) pa kurrëfarë nostalgjie për të shkuarën, por me shijen e mirë të saj, ne rendim drejt 25 viteve të ardhshëm, sido qofshin ata, të lehtë apo të mundimshëm, të artë apo të zymtë, pa ju trembur asgjëje, sepse diçka e krijuar me dashuri, që mbahet gjallë nga dashuria, frymon prej saj çdo ditë, është e sigurt në triumfin e pashmangshëm e të përjetshëm.
Sepse…
All You Need Is Love.
Gëzuar ditëlindjen, Top Albania!