Tiri Gjoci ka qenë i ftuar në “Wake Up” në fillim të këtij sezoni për koncertin “Djemtë e Detit” dhe Gent Demaliaj Tribute, periudhë në të cilën na tregoi se po përgatiste një material muzikor dhe ja ku erdhi momenti. Pas një mungesë 2-vjeçare, me datë  27 shkurt Tiri Gjoci ka publikuar këngën “Lamtumirë”, një këngë me një tekst të ndjerë, të cilën në fakt e ka shkruar 3 vite më parë.

Klipi “Lamtumirë” është konceptuar nga Neda Balluku, ish-banore e “Big Brother 4” e cila për herë të parë sprovon veten në këtë fushë. Kujtojmë se “Lamtumirë” e ka renditur Tirin në vend të 28-të të klasifikimit të “The Top List” në javën e parë të publikimit. Tiri ka qenë i ftuar së fundmi në “Wake Up” në Top Channel, ku ka folur më shumë lidhur me këtë projekt.

Tiri një pauzë 2-vjeçare në projekte. Përse kjo zgjedhje?

Ma kanë bërë shpesh këtë pyetje, por le ta themi që ka qenë dhe pandemia. Kam pasur përshtypjen që njerëzit nuk kanë pasur mendje për të dëgjuar muzikë. E ndjeva ta nxirrja tani, edhe pse ka 3 vite që e kam krijuar.

Je kthyer menjëherë në vemendje me këngën “Lamtumirë”, pasi në vetëm pak ditë ka marrë një lum komentesh pozitive dhe këtë e tregon në fakt dhe renditja në “The Top List”.

U ndjeva shumë i vlerësuar sepse është hera e parë që pozicionohem kaq lart, që me herën e parë.

Neda për të gjithë ata që ende nuk e dinë “Lamtumirë” është një videoklip i konceptuar nga ti. Si lindi ky bashkëpunim?

Ne të dy kemi një njohje shumë të hershme. Ne njihemi që të vegjël. Po flisnim për dy material të tjera shumë të mrekullueshme që Tiri ka në arkivë dhe po më tregonte “Lamtumirë” dhe më erdhën në mendje të gjitha ndjesitë që mund të krijonim me të. Kur dëgjova këngën e Tirit ishte një paradoks, kur i thua asaj dashuria ime, por i thua edhe lamtumirë.

Si u përshtatët në këtë projekt tuajin të parë?

Tiri: Unë jam mahnitur gjithmonë nga kreativiteti i Nedës, ka qenë menjëherë një ‘po’.

Neda: Ne çdo gjë e kemi krijuar bashkë, jemi përthuthur në çdo ide. Kemi kuptuar që jemi dhe miq shumë të mirë. Unë kam krijuar idenë që ky do të jetë viti i Tirit.

Keni sërish bashkë ndonjë projekt ndër duar?

Tiri: Kemi menduar të kemi një projekt të rradhës, ku Neda jo vetëm që do të konceptojë klipin, por do të më ndihmojë edhe me tekstin. 

Neda: Në rastin në fjalë kemi disa alternative në duar. Tek koncepti jemi dakord. Unë jam pak më surreale kurse Tiri do që të preki më shumë publikun.

Tiri, çfarë do presim në vijim? Ke materiale të tjera gati?

Përveç projektit të rradhës, kemi projekte të tjera së shpejti. Njerëzit mendojnë që unë kam ndejtur kot, pork jo periudhë më ka vlejtur për të krijuar. Kam shumë projekte të reja. Do të tentojmë goxha këtë vit.

Kënga e Tiri Gjocit, “Lamtumirë”, renditet në vend të 15-të të klasifikimit të “The Top List” në Top Awards për këtë javë.