Në një lidhje telefonike për “Live From Tirana” ka qenë këngëtari i njohur Sardi Strugaj. Ai ka qenë aktualisht duke xhiruar për videoklipin e këngës së tij më të re, por ka gjetur pak kohë për të bërë një bashkëbisedim të këndshëm dhe për të na treguar më shumë mbi këtë projekt dhe jo vetëm…

Jam duke xhiruar këngën e re. Për momentin titulli është “Ndoshta je mirë”, por ndoshta më vonë e ndryshojmë. Videoja ka ‘theme’ qytetin, kështu që jemi duke e xhiruar në Tiranë.

Duke pasur parasysh dhe eksperiencën në “Dancing With The Stars”, a do e shohim Sardin me koreografi në këtë projekt?

Jo. Koreografinë po e përgatis për të premten dhe nuk kisha mundësi të përgatitesha dhe për videon. Ajo që po mendoj në fakt, është që kemi krijuar një ide që do të ketë një koreografi me zhanrin tim të preferuar, kontemporane. Por që do të jetë në një video tjetër.

Kur vjen projekti që po xhiron?

Kënga besoj se do të dalë për një javë. Është berë para një jave dhe e kisha shumë të rëndësishme që ta nxirrja në dhjetor. Prandaj po nxitojmë pak. Ka pasur shumë raste që më kanë dalë mirë këto gjërat që bëhen pak më me nxitim nga ai ritmi i zakonshëm.

A është kjo kënga me të cilën do të merrje pjesë në Festivalin e Fundvitit?

Nuk është kjo. Ajo është një këngë tjetër që do të dalë nga fundi i muajit. Pra, do të vijnë dy këngë, dhe një tjetër do të jetë bashkëpunim, shumë shpejt dhe ajo.

Sa i përket eksperiencës tënde në “Dancing With The Stars”, sa ke dalë nga comfort zone-i yt dhe sa mendon se ia ka vlejtur kjo gjë?

Të jem i sinqertë ia ka vlejtur shumë sepse kam dalë nga ‘comfort zone’ dhe më ka sfiduar në një anë që nuk e njihja veten. Më ka ndihmuar shumë dhe emocionalisht dhe fizikisht, më ka dhënë shumë energji, më ka bërë të fokusohem te diçka që nuk e njihja dhe t’ia dal. Kjo më ka dhënë një farë vetëbesimi. Nëse mbani mend rrugëtimin tim nga fillimi e deri tani, unë kam ardhur duke u rritur shumë dukshëm dhe kjo më ka rritur vetëvlerësimin që nëse i fokusohesh diçkaje mund t’ia dalësh.

Deri tani ke qëndruar tek baladat, a do të mbash këtë ritëm apo do të bësh dhe këngë që mund të kërcehen në club-e?

Nuk e kam pasur asnjëherë të ndarë mendjen nëse këngët e mia duhen dëgjuar në club-e apo jo. Gjithmonë i kam bërë këngët në mënyrën se si më kanë ardhur, nuk e kam sforcuar veten që të bëj diçka të shtirur. E kam lënë veten të lirë në krijimtari dhe këtë dua ta mbaj. Dhe publiku këtë ka vlerësuar tek unë, që këngët i kam goxha të ndjeshme, goxha të sinqerta. Janë natyrale ashtu siç vijnë. Për në club-e unë mendoj që funksionojnë shumë remix-et. Ka shumë këngë të miat që janë bërë remix-e dhe luhen kudo në club-et e Shqipërisë, Kosovës dhe jashtë.

Pse nuk do të jesh pjesë e Festivalit të Këngës, të kërkuan para që të fitoje?

Absolutisht jo. Nuk është punë pagese. Nuk do të flas akoma për këtë…