Tayna është shndërruar një ndër artistet më të komentuara dhe më të suksesshmë së fundmi. Reperja më e re e tregut muzikor shqiptar ka rrëmbyer menjëherë zemrat e publikut edhe pse ka vetëm pak kohë që është bërë e njohur.
Ndërkohë që projekti i saj i parë muzikor “Columbiana” në bashkëpunim me Don Phenom, ka dalë në muajin qershor, derimë tani ajo ka publikuar edhe tre projekte të tjera të cilat kanë rezultuar tepër të pëlqyera për publikun shqiptar.
Të katër këngët e saj janë renditur në 10-shen më të nxehtë të klasifikimit të “The Top List”, duke lënë kështu të nënkuptohet se Tayna ka goditur në shenjë me projektet e saj të njëpasnjëshme.
Një super sukses ka korrur projekti i saj më i ri muzikor, “Doruntina”, i cili edhe pse është publikuar vetëm një javë më parë, ka mundur të renditet në vendin e 3-të, një pozicion ky tepër i rëndësishëm në listë.
Nga ana tjetër tre këngët e saj “Columbiana”, “Fake” dhe “Shqipe” renditen përkatësisht në vendin e 5-të, 6-të dhe 7-të.
Me këtë sukses, Tayna i është bashkuar grupit të artistëve që kanë patur 4 ose më shumë këngë në “Top 10”.
Ka qënë Kida artistja që ka thyer një rekord në “The Top List”, ku 5 këngët e saj, “Ti”, “Harroj”, “Kce”, “Pe Du” dhe “Anderr” janë renditur në “Top 10” në muajin maj të këtij viti.
Butrint Imeri dhe Ledri Vula janë dy artistë që kanë qënë në “Top 10” me nga tre këngë secili.