I ftuar së fundmi në emisionin “Live From Tirana” ishte këngëtari Stivi Ushe, i cili na foli më shumë rreth eksperiencës së tij në muzikë dhe bashkëpunimeve me Anxhela Peristerin dhe jo vetëm. Ai ka sjellë gjithashtu dhe këngën e tij më të re që mban titullin “Majta”, ku na ka treguar fabulën si dhe ku e gjen ai frymëzimin…

Ti ke punuar dhe me Anxhela Peristerin, si është të punosh me të?

Unë dhe Anxhela jemi njohur tek “Kënga Magjike”. Anxhela ishte ajo që m’u afrua dhe më ofroi një bashkëpunim, më hapi derën. Pas këngës “Në ëndrra” erdhi dhe kënga “Morena”. Ne kemi patur relata shumë të mira, kemi punuar në studio dhe kemi sjellë materiale që Anxhela i ka dhe mund t’i nxjerri më tutje.

Si arrite që t’i biesh në sy si një artist i ri?

Kam bërë diferencën mes asaj që dua të këndoj dhe asaj që duhet kënduar. Besoj se jam pak i mirë në këtë gjë. Unë jam rritur duke dëgjuar këta artistë me të cilët jam shumë i lumtur që po punoj tani. Është një bashkim i këtyre elementëve që ka sjellë dhe formulën e suksesit. Ata vijnë dhe dëgjojnë diçka që u pëlqen nga unë dhe niset një bashkëpunim.

Si lindi bashkëpunimi me Xhensilën dhe Majk?

Ishte diçka shumë interesante në fakt sepse Xhesila kur erdhi pëlqeu një këngë tjetër. Pork jo kënga ishte si dashuri me shikim të parë, sapo e dëgjoi e pëlqeu. Ishte super e sjellshme dhe super profesioniste. E bëri procesin e punës shumë të kënaqshëm. Mendoj se stili dhe vokali që ka është ndër më të veçantit në Shqipëri. Majk e dëgjoi demon tek studio ku punonte, e pëlqeu dhe vendosi që të punonte repturat e veta dhe të mbante refrenin që e kisha bërë unë. Bashkëpunimi doli shumë i mirë, kudo që shkon e dëgjon atë.

Lidhur me këngën e re “Majta”, çfarë mund të na thuash?

Kënga flet për dikë që mban dhe duron shumë për hir të dashurisë. Fabula është pak me fund jo të lumtur, sepse tregon që ke mbajtur shumë dhe tani nuk duron dot më. Por që ka këto notat reggaeton, stilin modern, që dëgjohet për qejf. Është e thjeshtë, nuk ka ndonjë ndërlikim si baladat e tjera.

Ku e gjen frymëzimin?

Është shumë e vështirë dhe e thjeshtë ta shpjegosh në të njëjtën kohë sepse nuk ka një formulë. Nuk mund të ulesh dhe të presësh frymëzimin, ai vjen me praktikë dhe me punë. Vjen një moment kur dëgjon një tingull të bukur që të kujton diçka dhe aty frymëzohesh.

Çfarë vjen së shpejti?

Na pret një mbyllje viti me shumë projekte. Unë mund të hedh një ose dy këngë. Kemi dhe bisedime me shumë artistë të tjerë. Nuk dua të përmend emra sepse nuk kam diçka konkrete.