I ftuar me anë të një lidhje telefonike në emisionin “Lancio” ka qenë artisti i ri Sordi Manfred, i cili së fundmi ka publikuar projektin e tij muzikor në gjuhën angleze “Drops Of Rain”. Kënga e tij e parë është pritur mjaft mirë nga dëgjuesit dhe menjëherë është bërë pjesë e “The Top List”. I pyetur për këtë arritje të tij të parë dhe arsyen pse i mori kaq gjatë që të publikonte projektin e tij, Sordi është shprehur:
Jetoj në një vend ku njerëzit zakonisht thojnë se nuk është vonë kurrë. Jam shumë i suprizuar që në këto momente festash të shoh këngën time të fluturojë në këtë mënyrë. Ky projekt i ka fillimet para pandemisë ku kam nisur ta shkruaj për herë të parë dhe duke krijuar tingujt me instrumentin e vetëm, kitaren. Është një këngë që ka një ton pak të trishtuar.
Duke qenë se këngëtari ka zgjedhur të shfaqet me një emër artistik, kjo gjë kaq e veçantë ka tërhequr jo vetëm vëmendjen e dëgjuesve, por edhe të afërmve të artistit. Ai më tej është shprehur:
Të gjithë janë konfuzë kur e dëgjojnë. Ka lindur si bashkimi i dy humoristëve të mi të preferuar italianë, Alberto Sordi dhe Nino Manfredi. Për mua janë gjigandët e komedisë. Ka lindur si ide kur kam qenë duke parë filmat e tyre dhe aty vendosa si gjë. Janë dy persona shumë të rëndësishëm për mua.
Edhe pse artisti jeton në Amerikë, ai ka vendosur që karrierën e tij muzikore ta krijojë edhe në Shqipëri. I pyetur për këtë vendim, artisti është shprehur:
Unë e dua vendin tim shumë, gjuhën shqipe edhe pse projekti i parë doli në anglisht. Kam një raport historik edhe me Top Albania Radio. Jam ndër të parët që e kam dëgjuar atë radio në një rreth shumë të vogël. Dashuria jonë e parë ka qenë dëgjimi i kësaj radiojeje.
Së shpejti, pas këtij lançimi të parë, pritet që Sordi të sjellë edhe albumin e tij EP të parë, i cili shprehet:
Jemi duke punuar me 3-4 këngë dhe jemi duke përfunduar. Besoj në një kohë të shkurtër do të dalin dhe do të plotësojnë realizimin e albumit EP. Doja të krijoja albumin e parë personal. Nuk kam artistë të tjerë që po bashkëpunoj, por kam njerëz që po më ndihmojnë ta publikoj.