E ftuar në studion e “Live From Tirana”, ka qenë një nga artistet më të reja të tregut muzikor shqiptar, Sonia Vokopola. Ajo sapo ka publikuar projektin e saj “Ti je”, me të cilin është bërë pjesë e “The Top List”. Sonia ka rrëfyer më shumë për këtë këngë dhe projektin e saj të radhës…
Si lindi teksti i këngës “Ti je”?
Kënga lindi shumë natyrshëm nga një takim me Kledi Bahitin, që unë e vlerësoj shumë, më ka bërë projektin tim të parë dhe është një ndër njerëzit më të rëndësishëm të jetës sime. Teksti ka ardhur nga jeta ime personale, kam shumë qejf që të shkruaj gjëra të ndjera që i kam kaluar vetë. Mendoj që me këtë mund të japësh një mesazh shumë të mirë për dikë që po e kalon momentalisht diçka të tillë. Muzika ka hapësirën që mund të tregosh çdo gjë, çdo histori dhe ka peshën e vet.
Nga ana tjetër dhe videoklipi vjen shumë i veçantë bardhë e zi, pse kjo zgjedhje?
Një arsye është që i rri shumë mirë por dhe për të simbolizuar ndjesinë e brendshme. Ka një ndjesi kujtimi dhe i rri shumë mirë një historie të atillë.
A po punon me ndonjë projekt të ri që do të vijë së shpejti?
Kam pritur shumë kohë që të krijoj dhe kam shumë materiale. Për këngën që do të vijë jam shumë krenare, është po prapë një bashkëpunim me Kledi Bahitin. Jam në momentin më të mirë të jetës sime, sepse po më rrethojnë dhe njerëz që kanë të njëjtin pasion si unë.
Me cilin artist do të doje të vije me një bashkëpunim?
Me shumë dëshirë edhe pse po kap shumë lart, do të doja një bashkëpunim me Alban Skënderaj. Çdo këngë e tij të kthen në humor të mirë. Por po ashtu dhe me Miriam Canin do isha shumë e lumtur nëse do të ndodhte një bashkëpunim.