Të ftuar në emisionin “Wake Up” kanë qenë Visjan Ukcenaj dhe Akil Varfi. Të dy artisët së fundmi kanë publikuar këngën e tyre të titulluar “Benz”. Një projekt i cili është pritur mjaft mirë. Por si ka nisur ideja e realizimit të këtij bashkëpunimi?
Akili: Unë e kisha bërë këtë si këngë e kisha mbaruar komplet dhe ia tregoj Visjanit, konsultohem dhe më thotë se është shumë e bukur. Mendova ta ftoj se mos ndoshta thotë ‘Po’. E pamë nga fillimi, shtuan dhe hoqëm gjëra. Idetë e mia dhe idetë e Visjanit dhe doli kjo.
A mund të themi se ata janë ngacmuar edhe nga realiteti i sotëm që e sollën si këngë?
Visjani: Normalisht edhe një këngë komerciale, ideja është që të ketë një ironi therëse apo të ketë një mesazh. Përpos kësaj ne duke qenë edhe artistë, me anë të këngës dhe me anë të klipit donim të jepnim edhe një mesazh sepse ndonjëherë paragjykohet edhe humori që ne bëjmë dhe komedia. Ne gjithmonë japim mesazhe me anë të komedisë dhe humorit, asnjëherë asgjë nuk është e thatë siç lexohet.
Më tej aktori shtoi se:
Kjo këngë e ka suksesin për shkak të muzikës, komercialitetit, ‘vibe’-t dhe është më moderne si stil. Jemi të lumtur.