Po të kthehemi pas në kohë, kujtomë që “Hip Hop-i” në Shqiperi ka nisur rreth viteve 2000 dhe që prej asaj kohë artistët që i përkasin kësaj rryme muzikore, sa vijnë e shtohet, duke u shndërruar në më të suksesshmit të momentit. Viti 2014-të në fakt konsiderohet se viti që ky zhaner muzikor “lulëzoi” më së shumti në Shqipëri.
Pavarësisht se kohët kanë ndryshuar, sigurisht edhe muzika krahasuar me vitet 2000 nuk është më e njëjtë por një gjë është e sigurt, “hip hop-i” pëlqehet ende.
Nëse do të shohim klasifikimin e “The Top List” do të kuptojmë qartë që shqiptarët e preferojnë së tepërmi këtë zhaner muzikor.
Nga 10 këngët e para që renditen në klasifikimin e “The Top List”, 90% e tyre i përkasin muzikës “hip hop”, duke lënë kështu të nënkuptohet se kjo lloj muzike është më e dëgjuara dhe më e votuara e momentit nga publiku shqiptar.
Por çfarë po ndodh me rrymat e tjera muzikore? Mos ndoshta ato po zhduken pa e kuptuar?
Në fakt, duket se pëlqyeshmëria ndaj “hip-hop”, ka “detyruar” këngëtaret që të devijojnë paksa nga rryma e tyre muzikore. Së fundmi është artisti i dashur i publikut shqiptar, Alban Skënderaj ai që ka vendosur që në një prej projekteve të tij, të bëjë “rap”. Bëhet fjalë për bashkëpunimin me reperin e njohur MC Kresha, “Ping Pong”, ku në një pjesë të këngës Albani këndon disa vargje “hip hop”.
Nga një studim i kryer së fundmi, është arritur në përfundimin se muzika që është cilësuar si më e pëlqyera për vitin 2017-të në botë është pikërisht hip-hop dhe R&B, duke lënë pas muzikën “rock”, për herë të parë në histori.
Bazuar në këtë studim, duket se edhe publiku shqiptar po ndjek të njëjtën rrugë si dhe publiku në mbarë botën.