E ftuar në emisionin “Lancio” në Top Albania Radio ka qenë këngëtarja Olimpia Smajlaj, e cila ka sjellë një atmosferë të veçantë me energjinë dhe stilin e saj karakteristik. Me projektin e ri të titulluar “Shqipnotique”, Olimpia prezanton një EP të përbërë nga tri këngë të reja, ku eksperimenton me tinguj modernë, ritme etnike dhe një identitet muzikor që i përket plotësisht asaj.

Gjatë intervistës, ajo ndau frymëzimet, procesin krijues dhe emocionet pas realizimit të këtij projekti, që synon të sjellë një bashkim të zërit të saj unik në gjuhën shqipe, por në një dimension krejt bashkëkohor. Për t’u rikthyer pas në kohë e deri më tani, si e sheh Olimpia zhvillimin e saj artistik?

Kur e kam nisur kam qenë metalare, nga ato fiks që janë kështu shumë fanatikë, ‘asgjë tjetër nuk vlen përveç se rock-ut dhe metalit, ju të tjerët nuk dini asgjë’. Pastaj, kur rritet njeriu pak më shumë, jo se jam rritur shumë, thjesht kam kuptuar që e dua muzikën aq shumë sa është vërtetë humbje ta kufizosh veten dhe të mos zbulosh e eksplorosh gjithçka që ka për të ofruar muzika. Çdo rrymë, çdo element të botës që ofrojnë vendet e tjera, është fantastike dhe është aq e gjerë sa është gjynaf të kufizosh me tek rrymë, ose dy, dhe të thuash ‘këto bëjnë, asgjë tjetër nuk bën’. Gjithçka bën në muzikë, kur është bërë mirë dhe me dashuri.

Ashtu siç e përmendëm edhe në fillim, Olimpia ka publikuar “Shqipnotique” me 3 këngë të reja, ku dy prej tyre kanë qenë pjesë edhe e “The Top List”. Duket se ky EP ka një përzierje mes disa zhanresh, por më shumë përqëndrohet në jazz, blues, swing, por çfarë ndodhi që ajo nisi të fokusohet në këtë rrymë?

Më bëri vetja. Kur bëra versionin drill të “2 Buzë”, për t’i thënë vetes që ‘Olimpia ti je artiste dhe nuk je komerciale’, e bëra producentin tim dhe veten time të futeshim sërish në studio që të bëja një 40 sekonda jazz. Kështu është edhe tek klipi. Mbaron klipi dhe transmetohemi nga ajo situata drill e gangsta, kalon në një situatë jazz. Kot, sa për t’a thyer komplet, një ide kështu. Kjo pjesë u pëlqye shumë, edhe pse ishte 40 sekonda, në TikTok madje u pëlqye shumë, dhe prej asaj u futa në studio e bëra 3 minuta të plotë, dhe prej asaj thashë ‘përse mos bëj dy këngë të tjera si ajo’.

Përse vendosi që ta titullojë “Shqipnotique”?

Doja që atë konceptin që kisha unë për shqipen si gjuhë, që ka shumë hapësirë për t’a eksploruar, që të tingëllojë ndryshe nga seç tingëllon në këngët e sotme. Kjo ishte. Doja ta sillja shqipen, por në një mënyrë pak më hipnotizuese.