Shkodra Elektronike duket se nuk e humb kurrë aftësinë për të surprizuar. Çdo projekt i tyre vjen si një kthesë e re artistike, si një rrëfim që zgjon kuriozitet dhe hap një univers tjetër tingujsh e imazhesh.

Pas koncertit audioviziv që mbajti pak muaj më parë në Minus 1 në Sheshin Skënderbej, dyshja Kolë Laca dhe Beatriçe Gjergji rikthehen me një projekt të ri muzikor, këtë herë me këngën dhe videoklipin “Stuhi”, që do të publikohet nesër, më 6 mars 2026, në të gjitha platformat online.

“Stuhi” është realizuar në bashkëpunim me muzikantin Redi Hasa, duke pasuruar gjuhën muzikore të Shkodra Elektronike.

Vetë artistët e përshkruajnë këtë projekt si një reflektim mbi kohët kur qetësia duket e rreme dhe tensioni qëndron pezull mbi realitetin.

“Mos u shqetësoni për fjalët e kuqe ose momentet e moslëvizjes, mos u shisni atyre ‘Stuhi’. Në një kohë kur e vërteta reduktohej në momente qetësie, vendosëm të krijonim një ‘Stuhi’”, shprehen ata.

Si çdo projekt i Shkodra Elektronike, edhe këtë herë muzika shoqërohet me një dimension të fortë vizual. Videoklipi që do të publikohet së bashku me këngën është punuar me një qasje artistike që pritet të jetë pjesë thelbësore e rrëfimit artistik të grupit. Dhe kjo qasje nuk ka kaluar pa u vënë re edhe në skenën ndërkombëtare.

Para se të mbërrijë tek publiku i gjerë, videoklipi ka nisur tashmë rrugëtimin e tij në festivale të ndryshme, duke marrë vlerësime dhe çmime të rëndësishme. Mes tyre spikasin çmimet për Videoklipin më të Mirë në “Monza Film Fest”, “Cine Paris Film Festival” dhe “International Film Festival Greece”, ndërsa është shpallur gjithashtu Session Winner në “Europe MusicVideo Awards 2026”. Përveç këtyre vlerësimeve, projekti është përzgjedhur edhe në disa festivale ndërkombëtare të filmit të shkurtër, duke konfirmuar se “Stuhi” nuk është thjesht një videoklip muzikor, por një projekt artistik që komunikon edhe në gjuhën e kinemasë.

Ndaj nuk është rastësi që çdo projekt i ri i Shkodra Elektronike ngjall gjithmonë kuriozitet, sepse dyshja Kolë Laca dhe Beatriçe Gjergji na habisin çdo herë.

Çfarë do të sjellin këtë herë?

Përgjigjen do ta merrni nesër, më 6 mars, kur “Stuhi” do të publikohet për herë të parë.