Shkodra Elektronike do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2025 me këngën “Zjerm”. Të ftuar në një lidhje direkte nga Bazel në Zvicër për “Wake Up”, kanë qenë pikërisht Kolë Laca dhe Beatriçe Gjergji, për të rrëfyer emocionet e tyre…
Ditën e djeshme keni patur provën e madhe në skenë, si kanë qenë përjetimet?
Beatriçe: Emocioni për mua ka qenë i fortë, ndihet dhe në video. Por ne vazhdojmë të punojmë për natën e parë.
Kolë: Unë nuk kam emocione fare, e kam kaluar atë fazë. (qesh)
Beatriçe: Kam unë emocione për të tërë.
Si ka qenë atmosfera aty?
Beatriçe: Nuk e di për vitet e tjera, por organizimi i Eurovision ka qenë i paparë këtë vit.
Kolë: Zviceranë…
Fustani yt Beatriçe ka qenë një vepër arti, e punuar nga nëna jote dhe sjell në mendje legjendën e Rozafës…
Prej asaj legjende është inspiruar kostumi. Nëna na vesh që nga 2019, kjo nuk është hera e parë që bën veshjet tona. Këtë kostum e ka ‘qarë’.
I keni lexuar komentet e njerëzve që ju kanë vlerësuar lart në mundësitë për fituar këtë vit?
Beatriçe: Kur i lexojmë, mendojmë që këta njerëz janë të marrë si ne. (qesh)
Kolë: Kemi kohë akoma, kemi gjysmëfinalen, para se të mendojmë për këto gjëra.
Cili është qëllimi i këngës suaj?
Kolë: Ato vargje që recitoj unë i ka shkruar Lek Gjeloshi, një mik i yni, artist bashkohor, pjesën tjetër e ka shkruar Beatriçe. Unë me të kemi qenë duke kaluar verën në Shkodër, ndërsa Beatriçe ka nisur të kompozojë pjesën e vet në Venecia, ku jeton. Është si negativja e pjesës së Beatriçes. Pjesa e Beatriçes lidhet me besimet fetare, pjesa e Lekës shkon më mbrapa, para feve të strukturuara, më tribale, arkaike, është pagane pjesa e Lekës.
Beatriçe: Fjalët që them unë janë më të thjeshta dhe direkte, i kupton. Pjesa tjetër është më arkaike, më misterioze. Është pak si dualizëm kjo këngë.