Një tjetër ndryshim në renditjen e Top 5 sa i përket kësaj jave në “The Top List”. Semi Jaupaj është rikthyer në Top 5 me “Mos u kthe”, këngë që tashmë është bërë hit dhe ka rrëmbyer zemrat e fansave kudo.

Ky projekt është prej 30 javësh pjesë e klasifikimit të “The Top List” dhe është rritur me 7 pozicione nga java e kaluar. Një këngë që patjetër që është diskutuar gjatë në rrjet nga ndjekësit, “Mos u kthe” mbetet ende ndër më të preferuarat e publikut.

Teksti i këngës është i thellë dhe i dedikohet një dashurie të humbur dhe një tradhtie. Mbase dhe një pjesë e mirë e publikut ka gjetur veten në këtë projekt.

“Mos u kthe” u bë shumë e njohur në kohën e spektaklit të “Big Brother VIP”. Por duket se edhe pse tanimë kanë kaluar muaj, ka mbetur një shenjë e pashmangshme tek njerëzit.