E ftuar ditën e sotme në emisionin “Pardon my French” në Top Albania Radio ka qenë artistja e njohur Kejsi Tola. Këngëtarja ka treguar më shumë detaje në lidhje me karrierën e saj dhe suksesin  në fushën e muzikës.

Muzika mendoj që është e bukur në të gjitha format e veta patjetër pa tejkaluar personazhet e caktuar që këndojnë muzikë të caktuar. Personi nuk duhet të lëvizë shumë nga gjëja e vet sepse ka disa gjëra të cilat unë nuk mundem dot t’i bëj. Si dikush tjetër bën muzikë komerciale dhe e bën ashtu si duhet se e di. 

Kënga “Më ke mua” këndohet më shumë?

Po. Unë e kam thënë edhe tek postimi që kam bërë kur ka dalë kënga në YouTube dhe kudo që e kam ndjerë. Në fakt historia e “Më ke mua” është se ka qenë një këngë tjetër për t’u kënduar unë kam qenë në Festival në “Kënga Magjike” atëherë dhe kur po punoja për të bërë këtë këngën kisha diçka tjetër në dorë dhe e dëgjuam pastaj shkoj në studio dhe më thotë Flori “Shiko kam edhe një gjë tjetër mos do ta dëgjosh dhe pastaj të zgjedhësh ti kush të rri më mirë”. Thashë okej kjo. Kishte vetëm një strofë. Kjo ka qenë historia e “Më ke mua” dhe pastaj tek postimi që kam bërë e kam kuptuar sepse teksti ishte i tillë, refreni ishte ashtu. Sigurisht që ndonjëherë këngët janë pak fat që diçka shkon më mirë. Me këtë këngën e dija që do të ishte kështu dhe në atë kohë kam thënë që është kënga e jetës sepse është një këngë që do të më përfshijë gjithmonë dhe do përfshijë këdo në një moment të mirë ose të keq. Por edhe kur t’i ke nevojë për dikë mund të thuash “Më ke mua”. 

A ia thotë Kejsi Tola dikujt “Më ke mua”?

Po, unë ia them të gjithë njerëzve që i dua fort. Jo nuk është dikush, akoma jo. 

25 këngë që flenë në sirtarin e Kejsi Tolës, çfarë presim së shpejti?

Ne kemi bërë shumë këngë. Këto janë vetëm 5 këngë nga të gjitha këngët që ne kemi punuar në kampe, ka edhe 25 të tjera që nuk janë publikuar. Mua më pëlqejnë këngët por i kam dëgjuar aq shumë sa që tani mendoj që dua diçka tjetër që të jetë energjia më e freskët. Jam duke parë që të bëj edhe disa këngë në shqip. Jam në punë e sipër dhe do të ketë bashkëpunime. Vera mund të ketë një video të re, ndoshta edhe jo një Shqipëri. 

Kejsi Tolës i mungon më shumë një menaxher apo i dashur?

O Zot, të dyja. (qesh)

Si ka qenë për Kejsi Tolën që karrierën e saj ta nisë me fitore dhe me vende të para në festivale?

Atëherë në fakt unë nuk e kuptoja shumë. Kur kam fituar “Ethet” kam qenë 16 vjeç pastaj kur kam fituar Festivalin vazhdoja të isha 16 vjeç. Pastaj kur kam shkuar në Eurovision sapo bëra 17 vjeç. Vendi i 17-të në Eurovision por e rëndësishme ishte që shkuam në finale. Gjithësesi kanë qenë vite shumë të bukura dhe siç e thashë nuk e kam kuptuar çfarë ka ndodhur me jetën time në atë kohë. 

Do të donte Kejsi që t’i përjetonte tani?

Besoj që po. Nuk është se do të doja të ndryshoja shumë gjëra ndonjëherë por pastaj mendoj që Eurovisionin ndoshta do të doja që të kisha qenë pak më e rritur, ta kuptoja pak më tepër ose ta jetoja në këtë kohën tani që çdo gjë është më e prekshme.

Dëshiron të marrë pjesë sërish dhe të shkojë në Eurovision Kejsi?

Pse jo? Por nuk është se e kam një synim ose plan. Ndonjëherë gjërat nuk i kam kërkuar me plane fikse. Patjetër që kam punuar për të bërë gjëra të reja dhe për të qenë në kontakt me publikun. I mendoj pak gjatë këto rikthimet. 

Me muzikën Kejsi Tola duket se nuk bën kompromise në sensin që të bëjë një këngë për të bërë koncerte, për të bërë para një rrymë që ndoshta edhe nuk i përshtatet stilit të saj, a është e vërtetë?

Kam përshtypjen që është pak personale, nuk e kam menduar dhe nuk e kam parë muzikën kështu. Patjetër që kam bërë para me muzikën por nuk e kam menduar këtë gjë. Herë pas here kam shkuar edhe në studio që të bëj një gjë ndryshe por shkoj deri aty dhe them jo, nuk mundem sepse ndoshta kështu jam unë.