Sardi Strugaj është një nga artistët më të rinj e të talentuar të tregut shqiptar duke sjellë gjithmonë projekte që nuk zhgënjejnë asnjëherë. Së fundmi Sardi ka publikuar këngën e tij më të re të titulluar “A ja thashë”, që është bërë menjëherë pjesë e “The Top List”, duke u renditur kështu në vend të 20-të të klasifikimit. Artisti ka qenë i ftuar në studion e “Live From Tirana” në Top Albania Radio për të folur më shumë mbi këtë projekt të tijin.

Çfarë e frymëzoi Sardin për këngën e re?

E kam performuar për herë të parë nga gushti në një nga performancat e mia dhe është kërkuar vazhdimisht deri sa e nxora. Dashuria është ajo që më pëlqen shumë, më frymëzon. Jo vetëm kjo dashuria romantike, që siç ka thënë edhe Fifi, “e dashuroj dashurinë”. Në të njëjtën lloj forme më frymëzon dhe një fjalë që thua ti dhe e shoh dashurinë aty. 

Pse vendose ta titulloje këngën e re “A ja thash”?

Sepse në atë kohë që e shkruajta këngën kisha harruar që t’ja thoja. E kisha marrë për të mirëqenë, jo se kisha harruar t’ja thoja që është shumë e bukur. Është një dedikim. Nuk jemi më bashkë, por vazhdon të jetë dedikim. 

Çfarë mund të vlerësojë Sardi nga xhirimi i videoklipit?

E kishim vendosur që do bënim xhirimet në Vermosh dhe bashkë me Mate Films, me Armandon që na bënë xhirimet, u nisëm një natë më përpara. Kemi kaluar vërtet natën më të qetë. Mund të shihja aq shumë yje. E rekomandoj aq shumë të vizitohet Vermoshi, sepse është një bukuri, një qetësi që nuk di ta shpjegojë me fjalë. Ishte gjumi më i qetë në jetën time, asnjë lloj zhurme. Të nesërmen do të niseshim në një mal aty afër, rreth dy orë e gjysmë larg. U nisëm, bëmë rreth 1 orë rrugë , u djersita shumë sepse ishte diell shumë i fortë, po më prisheshin flokët dhe nuk mund të dilja në video ashtu. Dhe u them duhet të kthehemi, e lëmë për herë tjetër xhirimin. Kishim bërë disa pjesë xhirimi gjatë rrugës, por u mërzita shumë, u nervozva dhe vendosëm që të ktheheshim. Kur do ktheheshim për Tiranë, aty në Vermosh duke pirë një kafe, pamë këtë shtëpinë që është në fillim të videos dhe na pëlqeu shumë si ambient. Mandi i videos tha hajde ta provojmë njëherë ‘one shot’ se nuk i dihet. Ulem aty tek ajo shtëpia dhe sapo kisha ndezur një cigare. Dhe bëmë këtë ‘one shot’, shyqyr Zotit nuk e ndaluam në mes se na doli mirë prova. E çuam deri në fund dhe kjo ishte videoja.

Pse zgjodhi Sardi që të vinte me një baladë të tillë?

Unë e shijoj shumë tingullin e kitarës, tingujt akustik, e shijoj shumë. Jam shumë i qetë me të. E vërteta është se kjo këngë ka lindur rock, por me kalimin e kohës ndryshoi dhe unë jam përshtatur më shumë tek akustikja. Më shijon më shumë kjo pjesë. Patjetër që është dhe aspekti që “Sytë” u pëlqye shumë dhe publiku e ka kërkuar vazhdimisht akustiken nga unë, kështu që pse jo.

A ka një album në plan së shpejti artisti?

E kam në mendje, por do shumë kohë. Pra, që këngët të mos jenë ‘boring’. Kështu që jam abolutisht mes një “EP” ose një albumi për këtë vit që vjen. Kë të kem më shumë mundësi, atë do të nxjerr. “EP” është e sigurtë që do të jetë këtë vit që vjen, ndërsa për albumin nuk mund ta them me bindje. 

Çfarë na pret pas “A ja thash”?

Ajo që unë kam filluar të punoj tani është një këngë që ka qenë një ndër demot më të vjetra të miat, njësoj si “A ja thash”. Të njëjtën gjë dua të bëj edhe me një demo që është shumë e bukur, unë e kam të preferuarën time. Quhet “Si hije” dhe është një këngë elektronike. Është një projekt shumë ndryshe nga çfarë kam sjellë dhe do të kërkojë shumë investim.