Sardi Stugaj, një artist shumë i talentuar dhe që na kujton se muzika e mirë nuk ka ‘vdekur’ ka qenë i ftuar së fundmi në emisionin “S’e luan topi” në Top Channel. Ndër intervistat e tij të rralla, Sardi ka rrëfyer detaje të pathëna më parë nga jeta e tij dhe pasionin e tij për muzikën…
Je gjithmonë i buzëqeshur dhe duket sikur jeta të ka shkuar gjithmonë vaj, por nuk ka qenë kështu apo jo?
Besoj se çdokush paraqet një vete që di t’ia tregojë të tjerëve, një lloj energjie që do të përcjelli tek të tjerët, por sigurisjt pas kësaj fshihet edhe historia e vërtetë e secilit. Dhe besoj se çdo person që kam njohur dhe jam frymëzuar shumë nga njerëz që kanë hequr shumë në jetë, por kanë mbajtur një buzëqeshje në fytyrë dhe kanë vazhduar jetën e kanë qenë optismistë për jetën. Për mua ky është një mesazh shumë i fortë dhe ka qenë frymëzim për mua.
Çfarë mban mend nga fëmijëria jote?
Kam kaluar nje fëmijëri shumë të bukur. Që në fëmijëri kam qenë shumë i lidhur me familjen, jo vetëm me 4 personat që jemi ne në familje, por dhe me familjen e tezes. Jemi rritur nga gjyshja, mendoj që çdo fëmijë që rritet nga gjyshja është i bekuar. Ka qenë mësuaesja më e mirë e jetës sime. Kur po flisja për personat që kanë kaluar shumë në jetën e tyre por mbajnë një buzëqeshje në fytyrë, njeriu kryesor është ajo. Ajo na e ka transmetuar këtë mirësinë, buzëqeshjen, pozitivitetin. Kemi pasur një familje shumë të bashkuar.
Prindërit e tu kanë qenë skeptikë kur ti zgjodhe muzikën?
Muzika më ka zgjedhur mua. Në një mbrëmje familjare unë këndova një këngë dhe ka wenë gruaja e xhaxhait që i pëlqeva shumë dhe më sugjeroi që të futem tek “Gjeniu i Vogël”. Më së shumti ishte babai që më rrinte nga mbrapa, merrej me mua, por filloi të kuptonte që bota e muzikës, edhe pse isha fëmijë, ishte shumë e egër. Kuptoi ato hilet e para që nuk binte shumë dakord. U mundua që të më largonte avash-avash, butësisht dhe për një periudhë kohe nuk u mora me muzikë. Edhe prindërit i kisha pak kundër, nuk ishin shumë dakord që të merresha me muzikë. Pas njëfarë kohe, pasi ma kishin ndaluar muzikën, marr pjesë në një konkurs, pa u thënë gjë atyre. E dinte vetëm motra. Ata më panë në transmetim direkt, pa e ditur që unë isha aty. I binin telefonit dhe unë nuk ua hapja, kam qenë i vogël në klasë të nëntë. Dhe shkova shumë vonë në shtëpi, pasi nuk doja të më prishej ajo terezia e ditës se kisha dalë shumë mirë në konkurs, kisha fituar vendin e parë. Kur shkoj në shtëpi, i shoh me lot në sy, ishte diçka që nuk ndodhte shpesh. Dhe më tregojnë arsyen se pse nuk më kishin lënë dhe mbaj mend që më thanë se ishin shumë krenarë. Arsyeja se pse nuk më kishin lënë ishte sepse ngjasoja shumë me dajën tim të ndjerë. Ai humbi jetën nga varësia që kishte nga heroina dhe unë kisha një ngjashmëri shumë të madhe fizike me të. Rruga që kishte nisur ai, ngjasonte shumë me rrugën si e kisha nisur unë, ishte çapkën dhe ai si unë dhe ai i kishte kërkuar me ngulm muzikën, në një moment të jetës së tij kishte kërkuar të vazhdonte liceun. Liceu dikur ka qenë i rrezikshëm, edhe Tirana, sa i përket çështjeve të drogës. Mbaj mend që shumë njerëz kishin këtë varësi. Dhe për shkak të ngjashmërisë e kishin lidhur me mua dhe nuk donin që unë të kisha të njëjtën rrugë. Më thanë që do i kem në krah gjithmonë dhe do jenë suportues ndaj meje. Ishte një nga pikat e kthimit për mua. Nga ky moment unë do të shkoja në lice dhe vërtet i kisha suportues, menaxharët e mi, investuesit e mi, ishin këshilluesit e mi, shokët e mi, ishin çdo gjë për mua.
Sardi u ndal dhe te kënga e tij e fundit, “Boshatisur”, për të cilën u shpreh se ka një rëndësi të madhe për të, burrit të tezes i cili ka ndërruar jetë.
”Boshatisur” i kushtohet një personi shumë të rëndësishëm të jetës sime. Janë disa gjëra që unë nuk preferoj t’i flas dhe kjo është një nga ato këngët që për hir të së vërtetës, pasi ka dalë, e kam treguar se kujt i dedikohet. Dhe nuk do të doja të flisja sepse është një histori shumë intime e familjes tonë. Është një plagë shumë e freskët dhe akoma nuk e kemi kaluar asnjëri.