Sardi Strugaj ka publikuar vetëm pak ditë më parë projektin e tij më të ri muzikor, që mban titullin “Boshatosur”. Kjo këngë është përqafuar menjëherë nga publiku dhe madje e kanë renditur në vend të pestë të klasifikimit të 100 këngëve më të mira shqiptare në Top Awards. Sardi ka qenë mëngjesin e sotëm i ftuar në studion e “Wake Up” për të na zbuluar më shumë për këtë krijim të tijin…
Është një nga projektet që e kam dashur më së shumti, por jam surprizuar nga publiku sepse kjo është një baladë. Ne si popull preferojmë më shumë ritmiket, sepse nuk duam të kujtojmë mërzinë dhe duam ta heqim atë. Më vjen mirë që e kanë përqafuar dhe është kënga që ka marrë reagimin më të mirë deri tani.
Është një frymëzim shumë personal që më ka ardhur. Nuk është një këngë dashurie e imja, është një histori personale që e kam prekur pak në “Dancing With The Stars”. Unë marr një emocion, secili merr një emocion. Në momentin që fillon frymëzimi, është një botë që nuk di ta përshkruaj shumë me fjalë. Thjesht e shkruaj dhe e këndoj.
“Boshatisur” është kënga me të cilën Sardi do të konkurronte në Festivalin e Këngës në RTSH, por vendosi që të tërhiqej nga gara. Lidhur me këtë ai sqaroi:
Është kënga që do e çoja në festival, kam luftuar që të nxjerr më të mirën dhe doja që të përfaqësohej sa më mirë. Nga portalet ka dalë sikur kam thënë që festivali është i shitur. Përkundrazi, nuk kam pasur asnjë problem me asnjë nga artistët. Kam thënë që flitet shumë për emrat më të njohur se do ta fitojnë, dhe kjo është normale. Që në momentin që e kam krijuar këtë këngë e kam imagjnuar se do ta këndoja në skenë, dhe do të doja shumë që ta këndoja në skenë. Fatkeqëssisht festivali nuk kishte nivel këtë vit. Kishte shumë probleme të cilat ishin të mëdha. Janë probleme që një festivali që organizohet prej 60 e ca vitesh nuk i falet. Është e pafalshme që të ketë probleme kaq të mëdha dhe amatore. Mua më pëlqejnë shumë festivalet. Mezi po pres që të rikthehet Top Fest.
Në portale është përfolur shumë dhe për pjesëmarrjen e Sardit në “Big Brother VIP 3”. Ja si shprehet ai lidhur me këtë:
Në portale e kam parë dhe unë emrin tim. Fillimisht kanë filluar aty dhe edhe prindërit e mi nuk e besonin që nuk do të futesha. Isha me pushime dhe ata menduan se isha tek kjo pjesa që izolohesh para se të futesh. Atë ditë kur filloi, shkova me vonesë në shtëpi dhe kur shkova unë ishin shumë të mërzitur dhe pastaj u lehtësuan. Do ta pëlqeja shumë si eksperiencë, por nuk do të futesha në këtë pikë. Por mund të futem dhe në shkurt, po e lë të hapur…
A të mungon “Dancing With The Stars”?
Më mungon shumë “Dancing With The Stars”. Është eksperiencë shumë e bukur, unike, që nuk kthehet më. Kam nostalgji.
Nga ana tjetër Sardi bëri të ditur më herët se do të vinte me një bashkëpunim me Semi Jaupaj…
Kemi diçka që kemi nisur bashkë me Semin, jemi akoma në fazën e demos. Jemi të dy me fiksime dhe duam që ky projekt të sjellë më të mirën e të dyve. Bashkëpunimi ka pak më shumë përgjegjësi. Duhet të kemi kombinim, që deri tani e kemi, por ka dhe detaje të tjera që publikut nuk i intereson, por duan rezultatin. Ne po punojmë për rezultatin.
Lidhur me jetën private të Sardit nuk dihet shumë, për të mos thënë asgjë. Sardi ka folur se pse kjo zgjedhje e tij:
Kjo është dhe arsyeja pse nuk hyj në “Big Brother”. E para mendoj që dhashë diçka nga vetja ime në “Daancing With The Stars” që publiku kishte nevojë të shihte. Por duhet të fokusohen më shumë te muzika e do të doja të mos flitej për gjë tjetër përveç këngëve të mia. Nuk dua të njihem vetëm si Sardi i “Big Brother”.