Sardi Strugaj ka publikuar së fundmi projektin e tij më të ri muzikor, që mban titullin “Boshatisur”. Kënga e tij është një nga hyrjet më të reja të javës në “The Top List”, që e ka renditur artistin menjëherë në vend të 5-të të listës.

Edhe pse një hyrje e re, Sardi qëlloi në shenjë me këtë projekt që arriti direkt në Top 5 me votat e shumta të publikut e fansave të tij. Së fundmi kemi mësuar se “Boshatisur” është kënga me të cilën Sardi do të konkurronte në Festivalin e Këngës në fundvit.

Këngëtari i njohur ka bërë së fundmi një bashkëbisedim virtual me ndjekësit e tij në “Instagram”, të cilët kanë qenë kuriozë të dinë një detaj në lidhje me këtë projekt. Të shumtë kanë qenë ata që e kanë pyetur nëse “Boshatisur” është kënga me të cilën do të merrte pjesë në Festivalin e RTSH-së dhe më pas u tërhoq nga gara.

Sardi u është përgjigjur me “po” dhe ka shtuar se nuk është penduar në asnjë moment që është tërhequr nga gara. Sidoqoftë, “Boshatisur” ka gjetur menjëherë rrugën drejt zemrave të audiencës, dhe si gjithmonë Sardi nuk zhgënjen kurrë me krijimet e tij kaq të arrira.