Sara Payman është një artiste sa e talentuar, aq edhe e veçantë në artin e saj. Me prejardhje indiane iraniane dhe e lindur dhe e rritur në Agli, Sara prej tre vitesh ka zgjedhur që të jetojë në Shqipëri dhe madje jo vetëm kaq, por të tregojë hapur se sa e dashuruar është pas këtij vendi. Thënë kjo, artistja ka publikuar projektin “Të zgjodha”, një këngë dashurie për Shqipërinë, e cila është bërë pjesë e klasifikimit të “The Top List” këtë javë. Sara ka qenë e ftuar mëngjesin e sotëm në studion e “Wake Up” për të folur më shumë për këtë projekt dhe jo vetëm…
Si erdhi “Të zgjodha”?
Unë e dua shumë Shqipërinë. Shqiptarët më kanë trajtuar dhe pritur me shumë dashuri. Doja të shkruaja një këngë dashurie për Shqipërinë. Në fakt e kisha shkruar këngën por nuk po dija si ta orkestroja. Pastaj ndodhi diçka si në ëndërr. Dy producentë shqiptarë që jetojnë në Amerikë, Jeton Murtishi dhe Dan Miftari, më gjetën në TikTok dhe donin të bashkëpunonin me mua. Ua dërgova versionin demo dhe atyre u pëlqeu shumë. E zhvilluam së bashku dhe lindi “Të zgjodha”.
Videoklipin e kemi xhiruar pjesërisht në Tiranë dhe pjesërisht në Bovillë. Ishte perfekte se kishte male, liqene, lugina, që i kam përmendur në tekst. Eksperienca ishte e re por shumë e bukur. Ishte hera e parë që bëja një klip ku isha vetë personazhi kryesor. Kisha pak frikë duke menduar se si do të dilte. Por isha shumë e lumtur me rezultatin dhe jam shumë krenare për këngën.
Çfarë të bëri të biesh në dashuri me Shqipërinë?
Çdo fjalë në këngë është e vërtetë. Burri im është rritur në Shqipëri dhe kishte shumë dashuri për këtë vend. Ne jemi njohur dhe u martuam në Angli. Por ai ka dashur të kthehet gjithmonë në Shqipëri, por unë nuk isha e sigurt. Ai me origjinë është gjermano iranian, por ka qenë në Shqipëri që kur ishte 6-javësh. Prindërit e tij kishin ardhur në ’91, dhe ai ka lindur në Gjermani dhe ka ardhur këtu 6-javësh. Ai e flet shqipen më mirë se shqiptarët, ka gramatikën perfekt dhe më mësoi shqipen. Ai mendon se është shumë e rëndësishme të flasësh në gjuhën e vendit ku jeton.
Si ka ndikuar origjina dhe kultura jote në artinin tënd?
Kam lindur e jam rritur në Angli, mami është nga India dhe babi nga Irani. Iranianët dhe indianët janë shumë mikpritës si shqiptarët. Shtëpia jonë ishte gjithmonë e hapur për të gjithë. Kishim vizitorë nga e gjithë bota. Kështu që jam ekspozuar me shumë kultura të tjera dhe reflektohet në muzikën time. Nuk mund të rri me një stil. Dua të marr elemente nga shumë kultura të ndryshme.
Cilat janë planet e tua të ardhshme?
Kam disa këngë që janë gati, por duhet të bëj një plan konkretisht për të promovuar. Janë 4 këngë që i kam shkruar dhe janë stile të ndryshme. Jam në proces duke regjistuar disa këngë në anglisht. Dua të publikoj edhe në shqip edhe në anglisht. Jam dentiste por ëndrra ime është që të lë pak pjesën dentare dhe të fokusohem më shumë në muzikë.
Si e gjen balancën mes profesionit dhe artit?
Besoj që si stomatologe kërkon shuëm disiplinë dhe këtë mund ta aplikoj në anën time si këngëtare. Të jesh këngëtare nuk është e lehtë, duhet të jesh edhe kompozitore, edhe menaxhere e marketingut, edhe eksperte e rrjeteve sociale. Atë që kam mësuae si dentiste, mund ta aplikoj në jetën time si këngëtare. Si dentiste duhet të ndjek disa protokolle shumë të sakte, por si këngëtare jam më shumë e lirë dhe ka hapur një pjesë në mendjen time që nuk e dija që e kisha dhe shumë gjëra kreative.
Si ka ardhur ideja për t’i regjistuar këngët dhe për t’i hedhur në rrjete sociale?
Kur u transferova në Shqipëri nga Anglia, kisha një vit që nuk mund të punoja si dentiste për shkak të licencës dhe kisha shumë kohë për të bërë diçka tjetër. Kisha shumë pasion për muzikën dhe fillova të postoja këngë në TikTok. E pashë që audienca ishin më shumë shqiptarë. Burri më mësoi shqip dhe mendova që pse mos të publikoj një këngë në shqip. U bë virale dhe njerëzit e pëlqyen shumë. Pastaj unë rashë në dashuri me këngën e vjetër shqiptare. Tani kam shumë motivim për të mësuar më shumë dhe për t’i bërë njerëzit e lumtur. Ky është dhe qëllimi, dua t’i bëj njerëzit e lumtur.