Sara Payman është një këngëtare-kompozitore dhe dentiste britanike që u shpërngul në Shqipëri tre vjet më parë. Me një sfond në muzikën pop dhe soul, ajo filloi të mësonte këngë shqiptare si një mënyrë për të përmirësuar aftësitë e saj në gjuhën shqipe, por shumë shpejt u magjeps nga bukuria dhe emocionet e trashëgimisë së pasur muzikore të vendit, veçanërisht nga këngët klasike. Sara së fundmi publikoi këngën e saj origjinale në gjuhën shqipe, “Të Zgjodha”, një këngë që flet për faktin se, nga të gjitha vendet ku mund të kishte jetuar në botë, ajo zgjodhi Shqipërinë. E ftuar në “Lancio”, ajo ka treguar më shumë për këtë projekt si dhe për dashurinë që ka për Shqipërinë…

Si e përshkruan rrugëtimin tënd në muzikë?

Kisha një pasion për muzikën që kur isha shumë e vogël. Kam kënduar në shkollë në kor, por në fakt jam dentiste me profesion. Por kam një pasion shumë të madh për muzikën. Unë kam mamin nga India dhe babin nga Irani, por kam lindur dhe jam rritur në Angli dhe kam burrin që është rritur në Shqipëri dhe ka mamin gjermane dhe babain italian, kemi shumë gjuhë. Kjo ka ndikuar edhe në zhanret që bëj muzikë.

Ti ke futur edhe folkun shqiptar në muzikën tënde, pse kjo zgjedhje?

Në fillim ishte për të mësuar gjuhën shqipe më mirë, sepse burri më ka mësuar gjuhën shqipe dhe në fillim më mësoi disa këngë të vjetra shqiptare. Pastaj rashë në dashuri me këngët e vjetra shqiptare dhe tani është një pasion. Kam qenë nga veriu deri në jug të Shqipërisë, më pëlqen shumë plazhi në jug, por më pëlqejnë më shumë malet dhe liqenet në veri. Kam qenë në Theth dhe Lëpushë, në Shkodër, dhe në lumin e Shalës. Vdes për këngë shkodrane.

Ke pasur ndonjë vështirësi kur u vendose në fillim në Shqipëri?

Në fakt njerëzit më kanë pritur shumë mirë, por si gjitjmonë në çdo vend ka disa njerëz që jam pak injorantë, kanë disa paragjykime dhe mendoj sepse është për shkak se muzikën shqiptare e kanë shumë xhan dhe kur një i huaj këndon një këngë hyjnore për ata, është shumë e çuditshme. Disa njerëz nuk e pëlqejnë shumë e kuptoj se pse. Por për mua gjëja më e vështirë është gjuha, sepse gramatika eshtë e pamundur për mua.

Ke thënë se të pëlqen të bësh njerëzit e lumtur me muzikën tënde, por ke menduar ndonjëherë të bësh ndonjë këngë të trishtueshme?

Besoj se kjo është e rëndësishme ndonjëherë, sepse ndihmon njerëzit të ndihen normal apo të ndihen se kjo ëshët diçka normale dhe nuk është e çuditshme të ndihesh kështu. Kur isha me zemrën e thyer kam dëgjuar Olivia Rodrigo dhe ajo ka shumë këngë për ‘heartbreak’ dhe më ndihmoi shumë.

Çfarë synon të arrish me muzikën tënde?

Besoj që të kem një koncert kur njerëzit e dinë muzkën time dhe këndojnë bashkë me mua këngët e mia. Një koncert shumë të madh.

Si e ke pritur suksesin e këngës “Të zgjodha”?

Në fakt nuk e prisja fare që do hyja në “The Top List” dhe kur e pashë veten në vendin e tretë ishte një surprizë shumë e madhe për mua. Kam mësuar shumë prej kësaj kënge edhe në muzikë, por edhe për videoklipin sepse nuk kisha bërë ndonjë videoklip më parë. Ishte një videoklip shumë profesional dhe kisha pak frikë sepse nuk e dija se si do të dilja, por isha shumë e kënaqur me rezultatin. Tani kam 4 këngë që janë gati, një EP dhe sapo kam xhiruar. Nuk e di se kur mund t’i publikoj, duhet të bëj një plan më të qartë.