Edhe pse brenda një periudhe të shkurtër kohore Ronela Hajati ka ardhur me dy bashkëpunime muzikore, duket se më të preferuarit për të mbeten këngët “solo”.
Në një intervistë të dhënë për “Top Awards”, këngëtarja ka folur për projektin e saj më të ri, i cili që në javën e parë të publikimit, është bërë menjëherë pjesë e klasifikimit të “The Top List”.
Bëhet fjalë për bashkëpunimin e saj me Lyrical Son, “Sonte”, i cili për këtë javë mban vendin e 50-të.
TA: Si lindi ideja për një bashkëpunim me Lyrical Son?
Ronela: Gjëja erdhi spontanisht…Duke qënë se atij i pëlqeu kënga, u bë direkt pjesë e këngës duke ia nisur punës.
TA: Kush është kujdesur për muzikën dhe teksin?
Ronela: Për melodinë dhe tekstin tonë ka punuar secili nga ne për pjesën e vetë. Ndërkohë për produksionin është marrë Big Bang nga Redbox. Gjej rastin për t’i falenderuar të gjithë.
TA: Gjëja e parë që mendove kur dëgjove muzikën e “Sonte”?
Ronela: Unë i kisha të qarta idetë dhe kënga është punuar me mua aty. Doja të sillja diçka ndryshe nga ritmet verore edhe pse e nxorrëm në verë.
TA: Jeni komentuar paksa për paraqitjen tuaj në këtë klip, keni një pergjigje për këta komentues?
Ronela: Unë gjithmonë komentohem për këto gjëra. Besoj se njerëzve nuk iu bëjnë më përshtypje gjërat e mia. Thjesht presin të shohin çdo bëj tjetër.
TA: Përveçse bëni tekstet e këngëve të tuaja, punoni edhe për artistë të tjera, nga e gjeni gjithë këtë frymëzim?
Ronela: Eshtë diçka që më vjen natyrshëm, që unë jam lindur dhe rritur me këtë gjë. Shpresoj mos më humbasin kurrë idetë dhe frymëzimi.
TA: Ju preferoni më shumë bashkëpunimet apo projektet “solo”?
Ronela: Projektet “solo” sepse nuk e vras mendjen dyfish. I fokusohem vetes, edhe nëse diçka del keq të paktën ia hedh fajin vetes.
TA: Çfarë do të thotë për ty të jeni pjesë e klasifikimit të “The Top List?
Ronela: Ndodh të falenderoj të gjithë ata që më mbështesin dhe votojnë. Por më shumë do të thoshte të fitoja nja dy çmime në natën e madhe. Seriozisht…(qesh).
TA: Kjo verë ka ardhur me disa projekte muzikore të suksesshme, kur do e kemi këngën e re?
Ronela: Momentalisht jam e lodhur shumë por besoj nga dimri mund të kemi diçka.
TA: Një mesazh për fansat që të mbështesin dhe dëgjojnë muzikën tënde…
Ronela: Aaaaa… i kam shumë xhan. Ata janë njerëzit që më shtyjnë më shumë të vazhdoj t’i kënaq.