Vetëm pak kohë më parë, artisti i njohur Lindon Berisha paralajmëroi rikthimin e tij në skenën muzikore, pas një pauze disa vjeçare. E këtë rikthim ai nuk do ta bënte vetëm, pasi njoftoi se do të vinte në bashkëpunim me Luiz Ejllin.
Dhe për këtë rikthim nuk do të na duhej të prisnim shumë. Artistët kanë publikuar projektin “Ëndërr”, që ka hyrë këtë javë në klasifikimin e “The Top List”.
Lindon Berisha rikthimin në muzikë e bëri me hitin e pavdekshëm të babait të tij të ndjerë. Kënga “Ëndërr” është ripërpunim i hitit të dikurshëm të Agron Berishës.
Duket se Lindon ka bërë një rikthim më të fuqishëm se kurrë në muzikë dhe ka gjetur pikërisht këngën e duhur për ta bërë këtë. Përveç rëndësisë emocionale dhe shpirtërore që kjo këngë ka, Lindon ka dashur të përcjellë dhe një mesazh të fortë.
Ky projekt sjell po ashtu dhe rikthimin e Luiz Ejllit në klasifikim pas disa kohësh mungesë. Lindon dhe Luiz kanë arritur që këtë javë të pozicionohen në vend të parë të listës me “Ëndërr”.