Rina është padyshim një nga reperet më të dashura për publikun në tregun shqiptar. Këngëtarja kohët e fundit nuk është ndalur me projekte të reja, por në një frymë pak më ndryshe nga sa jemi mësuar që ta shohim.
Edhe këtë herë Rina ka ardhur me një projekt me tone më të buta se zakonisht, por që duhet thënë që është e një stili që i shkon shumë. “E kalume” mban titullin projekti i saj më i ri që ka hyrë këtë javë në klasifikimin e “The Top List”.
Tek kjo këngë duket se Rina ka hedhur thuajse të gjitha ndjesitë dhe emocionet e saj. E teksa ajo në njëfarë mënyre e ka pranuar se “E kalume” mund të jetë dhe një dedikim për ish-partnerin, ne duam të ndalemi pak tek klipi.
Rina ka ardhur me një ide origjinale që duhet thënë se nuk na ka ndodhur shpesh ta shohim në mënyrë kaq të drejtpërdrejtë. Tek “E kalume”, tregohet fiks jeta e adoleshentëve të ditëve të sotme, festa, alkool, shoqëri, të qëndruarit deri vonë…dhe sigurisht dhimbjet e dashurisë… Me projektin e saj të ri, Rina ka arritur që të pozicionohet në vend të 89-të të listës.